Demonstrim të fuqishëm e konsideron Sali Berisha marshimin gati tre orësh të 22 Marsit, ku protestuesit u përplasën me policinë dhe u përdorën molotovët, uji dhe gazi lotsjellës. “Kurrë ndonjëherë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje nuk ka qenë në rrugët e Tiranës. Mesazhi është i qartë, në Shqipëri në kushtet e autokracisë të sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet”, tha kreu i PD, përcjell A2 CNN.
Berisha premtoi vijim të betejës, duke thënë se do të ketë vetëm intensifikim të aksionit opozitar. “Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën”, shtoi Berisha.
Tubimi i 22 Marsit ndryshe nga herët e tjera kishte edhe një simbolikë të re, valvitjen e flamurit gjerman nga protestuesit. Por një ditë pas protestës Ambasada Gjermane në Tiranë teksa mbështet të drejtën për të protestuar, në një deklaratë të hënën në mëngjes dënoi aktet e dhunës dhe molotovët në protestë. I pyetur për këtë qëndrim gjerman, Sali Berishën tha se protesta ka qenë paqësore.
“Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por një gjë mund të them, nëse në këto protesta ka pasur me dhjetëra demonstrues të plagosur nga dhuna policore, nuk ka pasur deri më sot, asnjë polic të plagosur. Kjo është e vërteta. Por ne mbetemi të përcaktuar për kryengritje paqësore, sepse jemi të bindur se nëpërmjet saj, realizojmë më mirë qëllimet tona”, tha Berisha.
Këto komente Berisha i bëri gjatë një konference për mediat nga selia blu, ku sulmoi edhe Ervin Salianjin që ka shprehur ambicie për të garuar për kryetar të PD. Ish-deputeti nga ana tjetër ka reaguar publikisht duke thënë se Berisha ka frikë nga gara. (A2 Televizion)