
Dritan Demiraj, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Sali Berisha duhet “të riformatojë lidershipin e Partisë Demokratike”.
“Opozita vjen nga një situatë 8-vjeçare gabimesh të njëpasnjëshme, nuk mund të them të qëllimshme apo të paqëllimshme, por që e dëmtuan rëndë dhe në shtesë të kësaj edhe investimet e Edi Ramës për ta përçarë opozitën nëpërmjet emërimit, financimit, mbështetjes së një pjese të liderëve ose të ish-drejtuesve të ndryshëm për ta copëtuar në të gjithë ato pjesë”, tha Demiraj.
“Opozita duhet të riformohet tërësisht. Edhe unë besoj me shumë sinqeritet, si një njohës i një pjese të madhe të deputetëve të Partisë Demokratike, së pari do të duhej të bëhej një analizë e thellë për rezultatin jopozitiv të zgjedhjeve të fundit. Së dyti, i sugjeroj doktor Berishës të riformatojë lidershipin e Partisë Demokratike. Së pari, duke larguar 12 drejtuesit e qarqeve si humbës, pra drejtuesit politik të qarqeve si humbës të këtyre zgjedhjeve të fundit. Së dyti, Partia Demokratike duhet të hapë derën, portën, oborrin, gardhin, çfarë të duash ti, në mënyrë që t'i bashkohet një pjesë e madhe e personave me integritet, intelektualëve nga të gjitha fushat dhe është e papranueshme që në listat e Partisë Demokratike rikonfigurohen prej 35 vitesh të njëjtat figura. Pra, do duhej që të ketë ndryshim dhe pikërisht kjo është ajo që një pjesë e madhe e popullit janë zhgënjyer. Pa diskutim që jam besimplotë që lidershipi i Partisë Demokratike, siç ka gjetur forcën për ta rimarrë, për ta riorganizuar Partinë Demokratike, do të gjejë forcën që t'i pranojë dhe këto gabime dhe të marrë vendimet e duhura për sa më lart”, shtoi Demiraj.
(A2 Televizion)