PS e majtë dhe PD e djathtë? Lea Ypi: Këtu flitet vetëm për detyrat e BE

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 21:46 | Politikë

Lea Ypi mendon se në Shqipëri nuk ka as të majtë as të djathtë politikisht, sepse e vetmja ideologji që ekziston për momentin është ideologjia e integrimit. “Dhe integrimi europian bën çdo politikë që të ketë aspekt depolitizues, sepse as nuk shtrohen çështje themelore. Pra, ne diskutojmë kur do të hyjmë në Europë, a u bënë detyrat për të hyrë në Europë, a u plotësuan kriteret për të hyrë në Europë, por në fakt nuk ka debat se çfarë është Europa, se çfarë i sjell Shqipërisë, në çfarë konteksti gjendet sot institucionet e Bashkimit Europian, cilat janë krizat e Europës, cilat janë vështirësitë, si ka reaguar Europa në kontekste krizash në vende anëtare si Greqia për shembull në momente të caktuara. Çfarë impakti ka pasur, a ka qenë pozitiv apo ka negativ?”, tha ajo në një intervistë në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN.

“Ne kemi një narrativë lëvduese të Europës, të Bashkimit Europian dhe kjo bën që të mos ketë debat demokratik për asnjë çështje, sepse e gjithë politika është e depolitizuar, pasi përgjigjet janë përgjigjet teknokratike, janë përgjigjet që jep Bashkimi Europian dhe që jep procesi i integrimit në Bashkimin Europian”, shtoi Ypi.

Shkrimtarja gjithashtu tha se qeveria socialiste në Shqipëri, ashtu si në përgjithësi qeveritë e majta në Europë, nuk kanë pasur politika të majta. “Kanë qenë politika që kanë zbatuar interesat e tregjeve financiare, të ë interesave të grupeve të lobimit të interesave të caktuara dhe Shqipëria është pjesë e këtij trendi. E majta shqiptare me përjashtime të vogla dhe të izoluara, por të rëndësishme, sepse është e rëndësishme që janë aty dhe që ka akoma edhe grupe që diskutojnë temat nga një qasje e majtë dhe është e rëndësishme dhe që të thuhet që janë këto grupe pse nuk është e vërtetë që nuk ka asnjë artikulim kritik të shoqërisë e të analizës nga e majta, por partitë në qeveri është e vërtetë që si në Shqipëri si në vende të tjera të Europës, si lindore dhe perëndimore, partitë e majta janë organizma të tregjeve ndërkombëtare të financiar ose të grupeve oligarke të brendshme”, u shpreh ajo. “Pra, nuk janë parti që bëjnë politika të majta në kuptimin e rishpërndarjes së pasurive, në kuptimin e fuqizimit të sindikatave, në kuptimin e asaj që do të quhej e majta tradicionale socialdemokrate”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos