Kryeministri Rama e cilëson integrim si një proces që do ta ndihmojë Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit dhe konsolidimit të institucioneve.
“Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë dhe fenomenit të korrupsionit, por si një luftë që zhvillohet ndërkohë edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin, për të parandaluar veprimtari të cilat zhvillohen në hapësira gri, ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime dhe ndërveprime të shpejta dhe cilësore”, deklaroi Rama.
Ndërkohë, kryenegocitorja Majlida Dhuka shpjegoi ecurinë e deri tanishme të negociatave me BE, me objektivin mbylljen e 16 kapitujve brenda këtij viti.
“Kushtet e ndërmjetme janë kërkesa të veçanta reformash dhe arritjesh, sidomos në lidhje me sigurinë dhe rendin, luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut. Të gjithë ministrat dhe negociatorët realizuan në masë të madhe të gjitha kërkesat dhe Shqipëria e mbylli këtë fazë në janar të këtij viti. Shqipëria ka marrë edhe vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian në shkurt të këtij viti dhe gjatë muajit mars, vendet anëtare po diskutojnë çdo javë në lidhje me përmbushjen e kushteve për rendin, sigurinë dhe të drejtat e njeriut nga Shqipëria. Presim me besim dhe durim edhe vlerësimin e vendeve anëtare në javët në vijim.
BE i ka dhënë Shqipërisë kushtet për mbylljen e negociatave për 31 nga 33 kapitujt. Në lidhje me dy kapitujt që janë rendi dhe drejtësia, ato do t’i jepen Shqipërisë pas miratimit të raportit të pikave të ndërmjetme, i cili është në proces.
Në mënyrë paralele, edhe gjatë vitit 2025 kemi punuar për plotësimin e kushteve për mbylljen e negociatave. Shqipëria është proaktive dhe vepron paraprakisht për përgatitjen teknike, dhe kjo është arsyeja pse realizohen në kohë të gjitha rezultatet e reformave, sepse punohet në shumë fronte dhe në shumë institucione njëkohësisht. Ne parashikojmë që brenda 2026, të jemi gati teknikisht me kushtet për 16 deri në 16 kapituj dhe brenda vitit 2027 me kapitujt e mbetur. Fusha me volumin më të madh të punës është mjedisi. Në 27 nga 33 kapituj, Shqipëria konsiderohet e përgatitur mirë ose në mënyrë të moderuar. Rreth 27 prej tyre, kanë arritur në një shkallë maturimi që konsideron si të përgatitur në mënyrë të moderuar “, u shpreh Dhuka. (A2 Televizion)