“Tavan për dhurimet, jo financim të huaj” ligji për financimin e partive, PS dhe PD bëhen sërish bashkë

Nga Fjorela Beleshi
30 Mars 2026, 16:32 | Politikë

Të majtët dhe të djathtët në komisionin e reformës zgjedhore kanë arritur të gjejnë dakordësinë për ligjin e financimit të partive politike, një detyrim për procesin e negociatave. Dokumenti i hartuar nga ekspertët, që A2CNN disponon, rregullon sekush mund ta financojë një parti politike dhe deri se në çfarë shumë, kur bëhet fjala për individ.

Partive politike do t’u lejohen dhuratat dhe ndihmat që vijnë nga parti, bashkime ndërkombëtare partish apo nga organizata dhe fondacione politike të vendeve të tjera, por nga ana tjetër do të vendosen tavane për dhurimet, maksimumi deri në 1 milion lekë nga person juridik.

Ndërsa dhurimet mbi 50 000 lekë duhet të bëhen vetëm përmes bankës. Tundimin nga paraja për partitë politike, ligjvënësit kanë menduar t’i venë fre me ligj.

Shpërndarja e fondit publik kësaj radhe do të ketë edhe një grant për të promovuar barazinë gjinore dhe të rinjtë. Formula e shpërndarjes së financimit publik. 

Partitë politike do të kenë detyrime që të raportojnë për financimet, dhurimet dhe donatorët çdo vit, si dhe duhet të mbajnë online raportet e 3 viteve të fundit. Në rast se partitë politike nuk do t’i binden ligjit atëherë do të ketë masa deri në përjashtimin e tyre nga zgjedhjet.

Ky dokument do të diskutohet të martën në komisionin e reformës zgjedhore dhe më pas do të kalohet në konsultim publik për të ndjekur procedurat parlamentare që të miratohet.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos