"Dosjet nëpër gjykata janë stok, duhen 10 vite..." Lutfi Dervishi: S'duhet të ngatërrohet SPAK me drejtësinë

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2025, 21:08 | Politikë

Gazetari Lutfi Dervishi ka komentuar në Off the Record me Andrea Dangllin pritshmëmitë e nga SPAK, pas zgjedhjes së kreut të ri të këtij institucioni. Sipas tij për dekada Shqipëria ishte penalizuar nga perceptimi i pandëshkueshmërisë, por vitet e fundit SPAK ka krijuar një rekord të ri kundër korrupsionit, duke goditur zyrtarë të rëndësishëm, përfshirë ish-ministra, kryebashkiakë e funksionarë të lartë.

“Me vendimin e fundit ata shkuan në paradhomën e kryeministrit. Pra, kryetari i bashkisë në detyrë, zëvendës kryeministri në detyrë. Ky akt tregoi dhe njëherë që SPAK-ut jo vetëm që i kanë dalë dhëmbët, por i kanë dalë dhe thonjtë dhe ka kurajën për të arritur në nivele të larta dhe ky është luks për historinë tonë 35-vjeçare, por edhe duke krahasuar vendet rrotull është luks që domethënë një strukturë pothuajse e pavarur siç ka qenë dikur FBI-ja domethënë të kërkojë dhe të vërë para ligjit zyrtarët më të lartë në detyrë”.

Duke sjellë në vëmendje stokun e lartë të dosjeve në gjykata, Dervishi theksoi se me këto ritme duhen mbi 10 vite për të plotësuar stafet dhe për të normalizuar situatën.

“Gjykatat e zakonshme, prokuroritë e zakonshme janë me ato problemet që dihen, me problemin e mungesës së personelit, do të duhen më shumë se një dekadë me këto ritme që të plotësohet të paktën personeli, stoku i dosjeve vjen duke u rritur dhe keqkuptimi i madh me SPAK-un ka të bëjë me ë luftën ndaj korrupsionit”, theksoi ai Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Në këto kushte ai nënvizoi se SPAK nuk duhet të shihet si mekanizmi i vetëm për luftën ndaj korrupsionit.

“Unë mendoj që është një fokus i gabuar qoftë edhe nga ndërkombëtarët që e presin luftën e korrupsion vetëm nga SPAK. SPAK është për të ndëshkuar. SPAK nuk parandalon dot. SPAK-u është në qoftë se përdorim me një metaforë kur thyhet veza ti s'mund të pretendosh që këtë vezë ta mbash ta mbledhësh edhe dalin zogj prapë nga ajo. Që domethënë është ndëshkimi, por retorika që korrupsioni parandalohet me politika qeveritare, me institucione që funksionojnë, me mekanizma të tjerë që do duhet të bëjnë punën e tyre, të mos ta lënë që këtë punë ja kemi lënë SPAK-ut, sepse po ja le SPAK-ut pastaj do kesh këto pasoja”, tha Dervishi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos