Gazetari Igli Çelmeta në një raportim për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN tha se Belind Këlliçi është proceduar si një nga organizatorët në protestën e fundit të opozitës. Aktualisht deputeti i PD ndodhet në një vizitë pune ne SHBA. Gazetari bën me dije gjithashtu se policia ka mohuar se janë përdorur snajper me plumba gome për të qëlluar protestuesit.
“Policia e Shtetit ka mohuar kategorikisht që është përdorur snajper me plumba gome për të qëlluar protestuesit, qytetarët. Sipas tyre, i vetmi reagim që ka bërë Policia e Shtetit ka qenë kur protestuesit kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve, duke i goditur me sende të forta dhe molotov.
Ka pasur edhe një lajm sot ku në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit lidhur me personat e proceduar ishte edhe emri i Belind Këlliçit. Jam interesuar zyrtarisht në Policinë e Tiranës, edhe pse Këlliçi s’ishte i pranishëm në protestë pasi ishte në një vizitë pune në SHBA, Policia e shtetit më tha nuk është proceduar si pjesëmarrës, por si organizator i grupit të personave që hidhnin molotov në drejtim të Policisë së Shtetit”, thuhet në raportim. (A2 Televizion)