Berisha: Asnjë polic nuk është lënduar, as nuk janë gërvishtur, por i kanë dërguar në spitale për të plotësuar skenarin

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2026, 14:25 | Politikë

Berisha: Asnjë polic nuk është lënduar, as nuk janë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë për shtyp deklaroi se asnjë polic nuk është lënduar në protestën e djeshme të opozitës, duke shtuar se “i kanë dërguar në spitale për të plotësuar skenarin”.

“Përveç kësaj, faqja e zezë e këtij skenari ishte loja me barrela dhe policë. Siç i patë ju, i hidhnin gaz vetë policëve dhe i fusnin në ambulancë. Evidente. Si të asfiksuar. Mbrëmë, unë kam shkuar vetë tek Spitali i Traumës. Këta njoftonin se shtatë policë janë në Spitalin e Traumës. Asnjë i vetëm nuk ishte. Personeli mjekësor më njoftoi se aty kishin shkuar 5 policë, i kishin dërguar, pa asnjë problem. Dhe ata nuk kishin asnjë lloj shqetësimi, nuk ishin as regjistruar, por ishin kthyer siç kishin ardhur. Nuk kishte asnjë polic të plagosur. Gjithçka skenar. Që edhe mund të ndodhte, por asnjë të gërvishtur. I kanë dërguar në spital vetëm për të plotësuar skenarin”, tha Berisha, shkruan A2.

“Meqenëse aty doli që nuk kishte asnjë dhe unë i denoncova menjëherë, dhanë komunikatën tjetër që kanë shkuar në dy spitale. Gënjeshtër. Asnjë polic nuk është gërvishtur, kur janë qëlluar me plumb në ballë protestuesit paqësorë. Një mirënjohje të pakufishme për mediat që e përcollën minutë pas minute kryengritjen paqësore të fuqishme të shqiptarëve në Tiranë. Dhe po kaq mirënjohje medieve ndërkombëtare, të cilat ishin në një ndjekje absolute të kësaj revolte dhe e jehonuan atë në mbarë botën. Të gjitha këto dëshmojnë se është populli opozitar ai që do përmbysë këtë narkodiktaturë dhe se 20 shkurti, shqiptarët mezi po presin si orën e tyre, si ditën e tyre”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos