Kërkon kandidatët për bashkitë, Berisha pritet të ndryshojë edhe drejtuesit politikë

Nga Anesti Barjamemaj
27 Shtator 2026, 19:24 | Politikë

Sali Berisha ka nisur të mendojë për zgjedhjet lokale, madje duke kërkuar jo vetëm zgjedhjen e kandidatëve, por edhe lëvizje të drejtuesve politik në qarqe.

Në mbledhjen e Kryesisë, pasi u fikën kamerat, lideri demokrat domosdoshmëri quajti të zbresin të gjithë në terren, shkruan A2.

Takimet, përveç ripërtëritjes së strukturave, do të shërbejnë edhe për të evidentuar kandidatët potencial për krerët e rinj të bashkive. Të gjithë emrat do duhet të kalojnë në dy filtra.

Së pari, kryetari i PD do të krijojë komisionin përzgjedhës. Do të jenë degët dhe anëtarësia që do të propozojë listën për secilën nga bashkitë. Përmes kritereve, propozimet do të reduktohen në më pak emra që më tej do të votohen në primaret ku anëtarësia do të vendosë se me cilin emër PD do të konkurrojë përballë PS.

Nga ana tjetër, në korridoret e selisë blu kanë nisur të flitet edhe për drejtuesit e rinj të qarqeve. Shkodra, Vlora, Kukësi dhe Gjirokastra deri më tani konfirmohet nga burime brenda Partisë Demokratike që nuk do të ketë kenë lëvizje të drejtuesve politik.

Ndërkohë, në 8 qarqet e tjera pritet të ketë ndryshime në kuadër edhe të asaj që lideri demokrat e quan ripërtëritja e partisë. Madje mësohet se tashmë ka nisur dhe përballja mes emrave ku në qendër të vëmendjes do të jetë organizimi i Tiranës jo vetëm për kandidatin por dhe koordinimin e degëve.

Lëvizjet e drejtuesve të qarqeve janë kërkuar prej kohësh nga shumë zëra brenda partisë, por Berisha ka justifikuar vonesat me faktin që aksioni opozitar ka qenë i përqendruar në drejtime të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos