
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla foli për mediat nga Kryesia e Kuvendit ku u shpreh se nuk komenton dosjen e asnjë personi nën hetim, ndërsa theksoi se korrupsion ka edhe në vende të BE-së.
Ndër të tjera Balla u shpreh se Shqipëria është "delja e zezë" e Europës sa i takon masave të kufizimit të lirisë të personave nën hetim, për të cilët s’ka vendim gjykate.
“Ngjarjet që ndodhin duhen parë si kulmime pozitive të reformës në drejtësi. Korrupsioni ekziston kudo, edhe në Gjermani, Itali, e rëndësishme është që sot kemi institucione drejtësie që sot hetojnë dhe u shkojnë deri në fund hetimet. Ne nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar pa imunitet duhet ta konstestojë kufizimin e lirisë në gjykatë. PS dhe grupi parlamentar s’janë avokatë mbrojtës të askujt. Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi e ka ushtruar të drejtën që i ka dhënë sovrani përmes kushtetutës. Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimin e lirisë para vendimeve të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Pyesni Chatgtp: Kush është delja e zezë e Europës sa i përket paraburgimit? Dhe do t’u japë përgjigjen: Shqipëria”.
Balla konfirmoi qëndrimin e mazhorancës që investimi në Zvërnec do të kryhet, pasi i jep ekonomisë shqiptare mbi 4 miliardë euro.
“T’i thuash jo një investimi 4 miliardë euro është e pamundur, është dëm i madh për ekonominë nëse do të ndodhte. S’ka për të ndodhur. Faza e parë është faza që lidhet me blerjen e terrenit. Qeveria shqiptare dhe agjencitë shqiptare të përfshira në proces, do garantojnë që të respektohen të gjitha parimet e mbrojtjes mjedisore, në përputhje me kapitullin 27 të traktatit të anëtarësismit në BE. I kemi njohur me ambicien tonë që duam të mbyllim procesin e negociatave në Krishtlindjet e vitit të ardhshëm, që në pashkët e 2028 të fillojmë me ratifikimet”. (A2 Televizion)