Kryemadhi zbaton vendimin e Gjykatës, paraqitet në SPAK në orën 12:00

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2024, 12:19 | Politikë

Ashtu siç Gjykata e Posaçme ia ka caktuar, pa shkelur me asnjë minutë orarin, deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit këtë të hënë në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.

Monika Kryemadhi është nën hetim për dosjen “Meta”, e cila ka çuar pas hekurave ish-bashkëshortin e saj, njëherësh President i PL, Ilir Meta, i cili u arrestua me urdhër të SPAK dhe akuzohet për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Sipas vendimit të GJKKO,  Kryemadhi duhet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, çdo të hënë të parë të muajit, në orën 12:00.

Ndërkohë, për të njëjtën çështje është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-zyrtarin Pirro Xhixho, i akuzuar gjithashtu për korrupsion pasiv si dhe masa e “detyrimit për paraqitje” për Ema Çokun, e akuzuar për pastrim të produkteve të veprës penale.

Sakaq, kujtojmë se këtë të hënë Kryemadhi ka ankimuar vendimin e masës "detyrim për paraqitje", duke dërguar ankimimin e saj përmes postës ditën e shtunën, shkruan A2 CNN.

Javën e kaluar, në deklaratën për mediat pasi Gjykata e Posaçme konfirmoi masën detyrim paraqitje për të, Monika Kryemadhi tregoi edhe një komunikim që ajo pati me avokatin Genc Gjokutaj në sallën e gjyqit.

Kryemadhi u shpreh se avokati duhet të kishte kërkuar burg për të dhe detyrim paraqitje për Metën pasi për veprat e saj po akuzohet ai pa asnjë faj.

Unë sapo i thashë Genc Gjokutajt që është një avokat joserioz pasi duhet të kërkoje detyrim paraqitje për Ilir Metën dhe arrest me burg për mua. Sepse 167 faqe janë veprat e mija për të cilat akuzohet Meta. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ka qenë kryetar parlament, president. Këto janë absurditete”, tha Kryemadhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos