Nga parukiere në kampione, historia e Ermirës që hyri në ring pas vetëm dy javësh stërvitje: Në Itali më vodhën titullin

Nga A2 CNN
2 Nëntor 2026, 08:48 | Aktualitet

Ermira Rexhmati, me origjinë nga Kukësi dhe e lindur e rritur në Durrës, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në artet marciale, duke fituar tituj kampionë dhe duke përfaqësuar Shqipërinë në gara ndërkombëtare.

Në një intervistë për emisionin “Dita Jonë”, ajo tregoi se gjithçka nisi nga një pasion i papritur kur punonte si parukiere. Vetëm pas dy javësh stërvitje, ajo zhvilloi ndeshjen e parë në Shqipëri, të cilën e fitoi me teknikën nokaut.

“Në fillimet e mia të karrierës kam qenë parukiere. Kam pasur një tërheqje akoma më shumë, sepse kisha një palestër përballë dhe thoja po sikur ta provoj edhe unë atë lloj ndjesie, atë lloj adrenaline, sepse ky lloj sport ka adrenalinë goxha të lartë dhe jam tip që më pëlqejnë shumë gjërat që kanë adrenalinë dhe mora pjesë në eventin e parë si spektatore. Mendoja me vete do regjistrohem te palestra dhe do e provoj veten time. U regjistrova në palestër dhe me ecurinë që kisha me vullnetin tim, panë edhe përkushtimin dhe disiplinën që kisha edhe më ofruan që të bëja një ndeshje në Shqipëri në Gjirin e Lalzit. Vetëm dy javëve stërvitje, kam hyrë në ring. Kam pasur fitore”, tregoi ajo për Dita Jonë në A2 CNN.

Pas dy fitoreve të tjera, Rexhmati u ftua të vazhdonte karrierën në Itali, ku gjeti më shumë mundësi për t'u zhvilluar dhe për të garuar në arenën ndërkombëtare. Por një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj ishte ndeshja për titullin e botës në Firence. Edhe pse, sipas saj, dominoi të pesë raundet, gjyqtarët nuk e shpallën fituese. Kampionia vendosi ta çonte çështjen në gjyq dhe, dy muaj më vonë, arriti të rikthente titullin.

“Fitorja ime më e madhe ka qenë kur jam ndeshur në Firence të Italisë për titullin e botës. Ka qenë një ndër ndeshjet më të më të bukura, më me adrenalinë, më të ndjera. Jam përgatitur dy muaj për atë ndeshje, sepse kisha atë inatin brenda vetes. Kur më bënë ftesën më kanë bërë hajt se shqiptare. Jo vetëm e rraha, por e bëra në një gjendje jo të mirë, e zhdëpa në dru. Patjetër që e fitova. E fitova sepse vërtetë e meritova atë ndeshjen. Pavarësisht se atë titull ma kanë vjedh. Për atë titull kam bërë gjyq. Ndeshja ka qenë pesë raunde. Pesë raunde nga tre minuta. Mbas dy muajsh kam bërë gjyqin dhe titulli mu rikthye prapë”, tregoi ajo për Dita Jonë në A2 CNN.

Pavarësisht ofertave për të përfaqësuar Italinë, Ermira thotë se ka refuzuar, duke këmbëngulur se nuk mund ta tradhtojë flamurin shqiptar.

“Luftoj për atë flamur që në çdo ndeshje që kam pasur e kam pasur gjithmonë atë flamurin, atë banderolën në krahët e mia dhe vërtetë ndihem krenare kur ngjitem me atë flamur. Edhe nga ana tjetër kam atë zhgënjimin që në Shqipëri nuk ma kanë dhënë atë mundësinë që vërtetë doja që ta përfaqësoja denjësisht Shqipërinë. Unë e kam përfaqësuar Shqipërinë privatisht. Të them të drejtën ma kanë ofruar (në Itali) këtë gjë, por unë nuk e tradhtoj dot vendin tim dhe flamurin tim. Nuk e bëj dot. Nuk ma bën zemra ta bëj atë gjë. Kështu që unë më mirë vendos të mbaj flamurin tim mbi supe dhe të jem krenare për atë që jam sesa të përfaqësoj një vend tjetër. Nuk e bëj për as për miliona”, tha ajo për Dita Jonë në A2 CNN.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos