
Gjykata Kushtetuese shtyu për në datën 2 dhjetor shqyrtimin paraprak të padisë së qeverisë kundër pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Trupa e kolegjit të gjykatës, me relator Sandër Becin, kërkoi më shumë kohë që të njiheshin me aktet e depozituara, shkruan A2 CNN.
Kësisoj, të martën e dy dhjetorit, do të vendoset nëse ankimi i Kryeministrit do të do të shqyrtohet në themel, ku një nga kërkesat e para që kërkon zgjidhje, është rrëzimi i masës së sigurisë të pezullimit të Belinda Ballukut.
Me firmë të kryeministrit Edi Rama, më 21 nëntor Këshilli i Ministrave e ka çuar për apelim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zëvendëskryeministre, Belinda Balluku.
Katër janë kërkesat e qeverisë, që si fillim kërkon nga “Kushtetuesja” të ndajë se ku fillon e ku mbaron “pushteti i drejtësisë” nga njëra anë dhe “pavarësia e ekzekutivit” nga tjetra, shkruan A2.
“Pezullimi është një vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv”, thuhet në kërkesë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të shtunën më 22 nëntor të vazhdojë zbatimin e masave të sigurimit personal të caktuara ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë shtetit të saj, pas marrjes së pandehur nga ana e SPAK për shkelje të barazisë në tendera. (A2 Televizion)
