Nuk mori pjesë në protestën e PD, Adriana Kalaja: Ja kush duhet të hapi krahun

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2025, 22:31 | Politikë

Adriana Kalaja, e ftuar në “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN, komentoi mungesën e disa figurave drejtuese të Partisë Demokratike në protestën e fundit, duke vënë në fokus qëndrimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar dhe, veçanërisht, të Ilir Alimehmetit.

Kalaja u shpreh se pas 11 majit, është e rëndësishme që zëri i demokratëve të dëgjohet, duke theksuar se heshtja brenda partisë është po aq e dëmshme sa humbja. Sipas saj, çdo kritikë apo ngritje shqetësimi nga anëtarësia duhet respektuar, edhe kur tejkalon kufijtë.

Unë zgjedh një demokrat që ngre zërin sesa një që hesht, sepse ai bëhet palë me humbjen. Kush e do Sali Berishën dhe PD-në duhet të flasë, të ngrejë shqetësimet”, deklaroi Kalaja në “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN.

Ajo kritikoi drejtues të strukturave të PD-së që nuk kanë marrë pjesë në protestë, duke nënvizuar se një pjesë e mirë e Këshillit Kombëtar ka munguar.

“Ai që ka një detyrë në Këshillin Kombëtar dhe nuk vjen në protestë, të hapë krahun. Për çfarë na duhen ata njerëz kur gjysma e këshillit s’na del në protestë? Disa rrinin pinin kafe kur ne protestonim te Bashkia”, tha ajo në “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN.

Në lidhje me deklaratën e Ilir Alimehmetit për listat fiktive të anëtarësisë, Kalaja rikujtoi se Alimehmeti ka qenë pjesë e strukturave drejtuese dhe duhej të kishte folur më herët, para zhvillimit të primareve. Megjithatë, ajo shprehu vlerësim për rezultatin e tij në zgjedhjet e 11 majit, ku ishte një ndër kandidatët me më shumë vota preferenciale.

“Ilir Alimehmetit i kanë rënë në hak. Ka pasur shumë më shumë vota dhe këtë duhet ta themi. Por nuk jam dakord që flet tani. Duhej të ishte ngritur para primareve, siç u ngrita unë në Këshillin Kombëtar”, u shpreh Kalaja në “Off the Record” me Andrea Danglli në A2 CNN.

Kalaja shtoi se vetë është përballur me presione të brendshme pas kritikave të saj për ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuara më 24 korrik 2024.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos