Në një moment që anëtarët e Bashkimit Europian vendosin për fatin europian të Shqipërisë, vendi ynë duhet të mos ndalojë në plotësimin e kushteve të vendosura si nga Komisioni Europian, por gjithashtu edhe nga kërkesa e lartë e llogaridhënies së disa vendeve anëtare.
Për disa kapituj duhen ligje të reja, ndërsa për disa garanci të tjera duhen arnuar kodet e vjetra. Prej vitesh është në plan një kod tërësisht i ri penal, por deri atëherë Parlamenti i Shqipërisë duhet fillimisht të arnojë Kodin Penal aktual pasi Brukseli i ka kërkuar Shqipërisë mbrojtje të interesave financiare të BE-së kundër mashtrimit në fushën e fondeve dhe fushën fiskale.
Së bashku me këto ndryshime, Kuvendi do të “bombardohet” nga një numër i lartë nismash ligjore, të ndarë në 8 paketa, për të përafruar legjislacionin e Shqipërisë me atë të BE-së. Fokus kryesor janë pikërisht kriteret ekonomike, për të cilat vendet europiane kanë pasur jo pak diskutime për sa i përket vendit tonë. Jo vetëm ligjet, por edhe institucionet duhet të ngrihen në nivelin e atyre europiane, për këtë arsye po përgatitet një Ligj i ri për Bankën e Shqipërisë që të përmbushë standardet e sistemit të bankave qendrore të BE-së.
Tashmë nuk është vetëm rekomandim, por detyrim miratimi i ligjit dhe ngritja e Këshillit Fiskal, si një organ i pavarur mbikëqyrës për politikat makroekonomike dhe financat publike. 10 projektligje do të jenë për shoqëritë tregtare, 3 nisma për inovacionin dhe pronësinë intelektuale, 4 projektligje për tregun dhe shërbimet financiare, që kanë të bëjnë me sistemin dhe shërbimin e pagesave, bankat dhe mbi të gjitha parandalimin e pastrimit të parave.
Edhe pse u miratua një vit më parë Ligji i Prokurimeve Publike do të ndryshojë sërish. Ndryshimet kanë të bëjnë me koncesionet dhe kontratat e Partneritetit Publik-Privat. Qeveria shqiptare do të duhet të korrigjojë vetveten, pasi ka detyrim të rishikojë 42 marrëveshje për t’i futur ato në korsizën e BE-së. (A2 Televizion)