
Më 23 maj, Partia Demokratike do të zhvillojë një referendum për kryetarin Sali Berisha. Deputeti Ivi Kaso tha në një dalje për mediat, në emër të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike, se procesi do të zhvillohet sipas parimit 1 anëtar 1 votë.
“Në të gjithë degët e Partisë Demokratike do të ngrihen qendrat e votimit ku, nga ora 08.00 deri në orën 18.00 demokratët janë të thirrur të votojnë masivisht, në këtë shprehje të demokracisë së drejtpërdrejte. Nëpër degët e mëdha, sipas kërkesave është përcaktuar se mund të ngrihet edhe më shumë se 1 qendër votimi. Këtë të shtunë 77 degë të Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë shprehen në referendum për kryetarin në një ushtrim të demokracisë”, tha ai, përcjell A2 CNN.
“Partia Demokratike është krenare sepse, që nga ngritja e Komisionit të Rithemelimit, deri më 23 maj, ka zhvilluar 7 procese zgjedhore të hapura, të drejtpërdrejta dhe demokratike. Krejt e kundërta me parimin ‘një anëtar një votë’, ndodh në ‘partinë bunker’, ku prej më shumë se një dekade nuk bëhen zgjedhje dhe çdo emërim bëhet sipas parimit autokratik ‘një kryetar, një votë’. Edhe njëherë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të ushtrojnë të drejtën e votës në referendumin e së shtunës”. (A2 Televizion)