Fjalimin 100 minutësh të Edi Ramës përballë deputetëve dhe ministrave, Sali Berisha e konsideron si një mbrojtje që kreu i qeverisë i bëri vetes. Berisha nuk zgjodhi që përgjigjen t’ia jepte kreut të qeverisë nga selia blu, por nga banesa.
Lideri demorkat duket se e kishte ndjekur me vëmendje kundërshtarin e tij dhe iu përgjigj për çdo rresht të deklaratës.
Kryetari i Partisë Demokratike tha: “U tha shqiptarëve se ministrat, zëvendëskryeministrat apo kryeministrat në Gjermani japin dorëheqjen si detyrim moral. Një mashtrim me bisht. Jo larg, por nga viti 2009–2013, në Shqipëri kanë dorëzuar imunitetin, kanë dhënë dorëheqjen zëvendëskryeministra e ministra, si dhe është hequr imuniteti për disa të tjerë”.
Për Berishën, komentet e Ramës për drejtësinë, janë argumente absurde dhe shtoi se mbrotja që shumica parlamentare po i bën Belinda Ballukut po rrezikon integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Sali Berisha u shpreh: “Në të njëjtën kohë kur ai fliste, në Parlamentin Europian, parlamentarë të nderuar kishin një seancë debati për Shqipërinë, në të cilën u deklarua se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri kanë kapur nivelet më të larta të pushtetit. U kërkua në mënyrë të prerë heqja e imunitetit dhe dhënia para drejtësisë e Lubi Ballukut. U kërkuan kushtëzime të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe heqja përfundimisht dorë nga amendamentet dhe ligjet me të cilat Edi Rama do të mbrojë veten”.
Deklarimet e kreut të qeverisë për ish-drejtoreshën e AKSHI-t se nuk ka banesa e as makinë për numrin një të Partisë Demokratike janë avokati për Mirlinda Karçanajn.
Sali Berisha tha: “Linda nuk është gjë tjetër veçse prestanome e Lindës tjetër, e gjysmës më të mirë të Edi Ramës. Edi Rama e ka shumë të qartë se kopshti privat kishte një kopshtar, dhe ky është ai vetë. E ka shumë të qartë se në dosjet e prokurorisë, kopshtarja private e këtij kopshti është Linda Rama”.
Edhe në këtë deklaratë, Berisha bëri thirrje për protestën e së shtunës që është njoftuar nga Partia Demokratike. (A2 Televizion)