Kritika Shqipërisë nga Parlamenti Europian, nga imuniteti i Ballukut tek aksioni në rrugë i opozitës

Nga Xhevahir Qardaku
26 Shkurt 2026, 14:58 | Politikë

Në Parlamentin Europian pati kritika të forta për Shqipërinë. Komisioni për Punë të Jashtme shqyrtoi draft raportin e raportuesit Andreas Schieder. Drejtuesi i komisionit, David McAllister, kërkoi nga politika shqiptare që të punojë bashkë dhe të mos kënaqet me hapjen e të gjitha kapitujve të anëtarësimit.

“Jemi të shqetësuar për polarizimin politik në vend. Ne inkurajojmë stabilitetin politik dhe dialogun. Do të ishte e rëndësishme që shumica qeverisëse të krijojë hapësirë për angazhim me opozitën dhe që opozita të bëhet më bashkëpunuese. Protestat e dhunshme nuk janë një mjet i pranueshëm në një shoqëri demokratike”, tha McAllister, shkruan A2.

Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, në fjalën e tij konfirmoi se viti 2027, i përcaktuar si afati për pranimin në BE është ambicioz por i realizueshëm. Në rrafshin politik, edhe ai pati kritika, veçanërisht për zgjedhjet: “Siç e përmendët, zgjedhjet dhe klima politike nuk janë më të mirat. Ekziston një kornizë konkurruese zgjedhore në fuqi. Ka shqetësime të vazhdueshme, keqpërdorim të burimeve administrative, akuza për blerje votash, presione mbi votuesit, por edhe ky polarizim politik i vazhdueshëm, i cili po minon besimin institucional dhe mbikëqyrjen parlamentare. Dhe veçanërisht në javët dhe muajt e fundit, ajo u radikalizua sërish, duke u përpjekur të bëhet politikë përmes rrugës dhe jo përmes sallave të parlamentit”.

Raportuesi pati një kërkesë sa i përket drejtësisë dhe atyre që konsiderohen si “peshq të mëdhenj”: “Sa i përket shtetit të së drejtës dhe korrupsionit, ne e mirëpresim faktin që reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut po ecin përpara, dhe se Shqipëria është vendi që ka bërë prerjet më të thella, por shqetësimet mbeten për efikasitetin dhe procedurat e gjata. Korrupsioni mbetet një nga çështjet më të mëdha në vend. Kërkohet një bilanc më i fortë i hetimeve dhe dënimeve në nivele të larta”.

Raportuesi për Shqipërinë kërkoi një liri më të madhe mediatike dhe mbrojtje të gazetarëve. Gjithashtu, ngriti alarmin për një mjedis të vështirë biznesi në vendin tonë, teksa kërkoi nga qeveria të bëjë reforma socio-ekonomike duke rritur të ardhurat për qytetarëtt, punësimin dhe sigurinë sociale. Eurodeputeti Andrey Kovatchev ngriti shqetësimin serioz të ndërhyrjes në punën e drejtësisë dhe SPAK-ut: “Institucione si SPAK duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe efikase, pa presion politik. Hetimet, përfshirë ato që përfshijnë zyrtarë të lartë, si zëvendëskryeministri, duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Shteti i së drejtës nuk mund të jetë selektiv. Kërkesa për heqjen e imunitetit parlamentar pa vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për ndryshimet e propozuara në procedurën penale për të mbrojtur ministrat dhe zyrtarët e lartë nga pezullimi ndërkohë që janë nën hetim penal. Legjislacioni duhet të përputhet me standardet ndërkombëtare demokratike. Ligjet nuk duhet kurrë të përshtaten sipas nevojave politike. Ato duhet t’i shërbejnë interesit publik dhe të garantojnë barazi para ligjit”.

Deputeti tjetër i PE-së, Michael Gahler, që vizitoi Shqipërinë disa ditë më parë, përmendi darkën me kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se pavarësisht se ishte argëtues, nuk i shpërqëndroi dot për ta parë realitetin siç është: “Ka struktura të korrupsionit dhe të krimit të organizuar që mbërrijnë deri në nivelet më të larta, siç është dhe rasti Balluku. Ne pamë dhe Gjykatën Kushtetuese që tha se SPAK duhet të veprojë, ashtu siç bëri. Më pas partia në pushtet refuzoi që t’i hiqte asaj imunitetin. Kjo tregon se çfarë sjellje kanë. Nuk dua që këto struktura të hyjnë brenda Bashkimit Europian”.

Edhe eurodeputeti Thomas Waitz përshëndeti punën e SPAK me rastet e korrupsionit, veçanërisht me arrestimin e politikanëve të niveleve të larta. Pati gjithashtu kritika të forta lidhur me luftën ndaj krimit të organizuar dhe mungesën e transparencës se si po përdoren fondet e BE-së.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos