McAllister thirrje për dialog politik në Shqipëri: Protestat e dhunshme jo një mjet në demokraci

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2026, 13:34 | Politikë

Kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, tha se PE është i shqetësuar për polarizimin politik në në Shqipëri, duke kërkuar dialog mes mazhorancës dhe opozitës. Gjatë konferencës për mediat në krah të ambasadorit të BE Gonzato, McAllister u shpreh se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale, raporton A2CNN. 

"Kemi zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Elisa Spiropali, kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi dhe kreun e Këshillit Kombëtar për Integrimin, Igli Hasanin. Kemi zhvilluar takime me udhëheqës të partive opozitare dhe ambasadorë të vendeve anëtare të BE. Ne vazhdojmë të mbështesim fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin e saj në integrimin europian. Por nuk ka vend për vetkënaqje, Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë edhe më fort për përmbushjen e detyrimeve dhe përmbylljen e negociatave. Integrimi mbështetet në merita dhe secili vend vlerësohet në bazë të përmbushjes së kritereve. Jemi të shqetësuar për polarizimin politik, mendojmë që duhet të ketë më shumë stabilitet dhe dialog politik", tha McAllister.

"Protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale. Dëshiroj të ngre edhe tre argumente të rëndësishme, ekziston nevoja për ta ruajtur forcën shtytëse në luftën kundër korrupsionit, shumë është arritur, por ende s’është në nivelin e kënaqshëm. Raporti i Transparency International e ka renditur Shqipërinë 11 vende më poshtë. Duhet që politikanët të udhëheqin duke dhënë ata vet shembullin. Dëshirojmë të shohim një reformë reale zgjedhore, të bëhet në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve, të jetë gjithpërfshirëse dhe të zbatojë plotësisht rekomandimet e ODIHR-it", vijoi ai.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos