“Ministrat nuk llogarisin as deputetët e PS”, Krasniqi: Nuk ka dritë në fund të tunelit, duhet një shkundje e fortë

Nga A2 CNN
5 Mars 2026, 21:27 | Politikë

Politika shqiptare ka nevojë për një shkundje të fortë dhe jo përforcim të mureve të kalbura me mandate të reja. Kështu deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN gazetari Afrim Krasniqi, sipas të cilit kjo lloj politike e ka lënë peng Shqipërinë.

“Janë njerëzit më të pasur të Shqipërisë. Janë njerëzit që s'kanë punuar një ditë për këtë vend, një ditë për qytetarët. Janë njerëzit më të pasur të Shqipërisë, më të paprekshëm të Shqipërisë. Kur kanë një hall personal, e marrin peng Shqipërinë për hallin personal. Kur familja e tyre ka një hetim, e marrin peng Shqipërinë për hallin e tyre. Kur një shtet i huaj i bën një deklaratë të kundër, gati t'i bëjnë gjyqin publik shtetit të huaj, të ndërpresin marrëdhëniet me atë shtet vetëm për të mbrojtur veten e tyre. Ne njerëzit duhet të kenë aq mençuri, aq kurajo dhe aq pavarësi sa të kuptojnë që kjo lloj politike na ka lënë peng dhe ne duhet të ndahemi nga pengjet për të parë në të ardhmen”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas tij parlamenti ka arritur degradimin ku ministrat nuk dëgjojnë as deputetë e palës së tyre.

“Skena ku sot një deputet i mazhorancës kërkonte interpelancë dhe i mungonte dhe ministrja është degradimi i degradimit të parlamentit. Do të thotë që aty edhe ministrat nuk kanë pikën e drojës as nga deputetët e palës së vet, ose nga zyrtarët të lartë. Dhe kjo pyetja pse duhet të kemi ministra, pse duhet të kemi parti, pse duhet të kemi lider, pse duhet të kemi kryetar grupi, pse duhet të kemi komision e ligjeve e komisione të tjera. Kështu që është debat aq i madh sa meriton një shkundje dhe shkundja mendoj që nuk ka ndodhur ende dhe nuk shohësh dritë në fund të tunelit që ka një kjo lloj elitë politike mund prodhojë gjë më të mirë”, deklaroi Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Krasniqi theksoi se mbyllja e diskutimeve brenda partive politike dhe mungesa e votimeve apo debatit të brendshëm tregojnë mungesë demokracie dhe për pasojë asnjë pritshmëri për të ardhmen. Ai kritikoi përqendrimin e pushtetit, duke argumentuar se vendimet shpesh merren pa transparencë për financimet, hetimet apo proceset institucionale.

“Është e habitshme që nuk ka debat në partitë politike dhe nuk është e habitshme që nuk ka debat në strukturat. Mbyllet PS-ja, asambleja, asnjë debat, asnjë diskutim. Mblidhet kryesia para dy ditësh. U tha 30 minuta u dhanë udhëzimet mbaroi me telefon iku mbaroi. Tek PD-ja s'ka debat, ka kohë që s'ka as votime dhe bele akuzojnë që të gjithë kemi vjedhur vota përpara me porosi për palën tjetër. Do të thotë kur ti nuk voton nëpër parti, kur s'ke demokraci nëpër parti, kur s'i ke parti dhe kur s'ke alternativa, kur s'ke debat, kur s'ke gjeneratë, kur s'ke ide, kur s'ke vizion, do ishte absurditet edhe utopi që ne të presim që të njëjtit të vijnë në parlament dhe të na prodhojnë një Shqipëri tjetër nga ajo që nuk kanë prodhuar në familjen e tyre. Kështu që në këtë lloj këndvështrimi unë e shoh nevojën e një ndryshimi cilësor. Gjithçka të mbyllura, lista të mbyllura, njerëzit të mbyllur, ministra të mbyllur, kryetarët e partive s'ka zgjedhje, statuse s'kanë vlerë, financimi nuk tregohet, hetime nuk ka, imunizohet dhe në fund fare i futin edhe një amnisti përkrahësve të tyre dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për këtë vend”, tha Krasniqi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Ai përmendi gjithashtu se opozita nuk po e shfrytëzon SPAK-un  - Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilën e konsideroi një element që mund të përdoret për përmirësime institucionale, përkundër konferencave të shtypit të parive, apo reagimeve në Facebook.

“Nuk arrij dot ta kuptoj se si opozita nuk arrin ta përdorë kartën më të suksesshme në Shqipëri që është SPAK. Në bilancin e përgjithshëm SPAK-u është pozitiv dhe është një institucion, për të cilin kemi diçka me të cilën mund të avancohet përpara me përmirësime apo me ndërhyrje. Po s’qe SPAK i suksesshëm që po arreston ministra, zëvendës kryeministra e ca në kërkim e ca kryetarë bashkie të super pushtetshëm që ne kemi menduar se do ishin zëvendësimi i liderit të radhës për dekadat e ardhshme. Po arreston grupet më të mëdha kriminale. Po kush të jetë? Konferencat shtypit e mbrojnë Shqipërinë, na mbrojnë pronën, lirinë tona? Facebooku na mbron ne, batutat me njëri-tjetrin na mbrojnë ne apo klientët e secilës palë që bredhin nga pushteti te pushteti i radhës duke bërë të njëjtën gjë që dinë të bëjnë, duke shërbyer dhe duke financuar me informalitet?”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos