Ministri Vengu: Rishikim strategjik i Mbrojtjes, rritje pagash dhe rritje e numrit të personelit ushtarak

Nga A2 CNN
26 Janar 2026, 12:34 | Politikë

Ministri Vengu: Rishikim strategjik i Mbrojtjes, rritje pagash dhe rritje e

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, në një konferencë për shtyp nbi punën për rritjen e kapaciteteve të Forcës së Armatosur, emergjencave civile dhe industrisë së mbrojtjes, si prioritete të Buxhetit të Mbrojtjes 2026, deklaroi se Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të Mbrojtjes.

“Paqja dhe stabiliteti nuk janë përgjithmonë, përkundrazi kërkojnë investime dhe përgatitje të përditshme. Realiteti i ri trupëzohet shpesh edhe në rishikimin e dokumentave strategjikë të mbrojtjes, ku edhe vetë Shqipëria është duke përgatitur rishikimin strategjik të mbrojtjes. Të gjitha këto rishikime evidentojnë një fragmentim të rendit ndërkombëtar dhe konkurrencën e përhershme që strukturon në një farë mënyre një lloj lufte të re të ftohtë. Pse e përmend këtë? Sepse Europa Jug-lindore pavarësisht se nuk është epiqendra e rivalitetit të ri global, por nuk është as një periferi e padukshme. Është një teatër dytësor, jo për tanke, por për influenca, narrtiva, dezinformim dhe ndërhyrje hibride. Buxheti 2026 nuk është një buxhet rutinë, por një mekanizëm për të ndërtuar kapacitete reale, për të zhvilluar industrinë, për të forcuar sovranitetin dixhital dhe për të ndërtuar një Shqipëri si aleate e qëndrueshme në NATO. Këtë vit arrijmë vlerën 2.12 të PBB-së dhe nëse e krahasojmë me buxhetin 2025 kemi një rritje me 12%”, tha Vengu.

“Synojmë që në vitin 2029 të arrijmë nivelet e NATO-s. Rritja e pagave do jetë progresive, 60-70% për pagat bazë dhe 30% për nivelet më të larta të komandimit. Po ashtu, synojmë rritjen me 30% të komponentit aktiv. Vitin e kaluar kemi pasur 721 rekrutë të rinj. Akademia e FA është pika nevralgjike e kësaj politike. Viti 2026 do krijojë një kuadër ligjor më të mirë. Kemi një fluks rikthimesh në FA dhe tani FA është një forcë që tërheq gjithmonë e më shumë. Kemi një rikthim të gadishmërisë ajrore, një rikthim të gadishmërisë së mjeteve helikopterë. Në forcën detare kemi një rritje të flotës. Kemi 2 mjete që na janë shtuar dhe një mjet i ri vjen me investim 9 milionë euro po nga aleatët italianë. Sistemet Javelin do i prezantojmë javën që vjen. Në 2026 shtojmë sisteme artilerie dhe sistemet e para kundër-ajrore pas një mungese të gjatë. Kompania shtetërore Kayo ka nënshkruar në 2025 plot 6 marrëveshje për prodhimin e armatimit të lehtë dhe jemi në negociatë me gjigandin italian Ficantieri për prodhimin e nijeve në Pashaliman. Për mbrojtjen civile do kemi dy baza rajonale, një për veriun e vendit dhe një për jugun e vendit", shtoi ministri.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos