“Tony Blair ka lobuar te Donald Trump për Ramën”, Prenga: Paguhet, atë punë ka

Nga A2 CNN
25 Janar 2026, 22:31 | Politikë

Gjeneral Dedë Prenga ka hedhur dritë mbi prapaskenat e lobimit ndërkombëtar në favor të kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ish-kryeministri britanik Tony Blair ka ndikuar drejtpërdrejt në lobimin personal pranë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Bordin e Paqes.

I ftuar në emisionin “Terminal” me Aurora Sulçen, Prenga u shpreh se mungesa e kryeministrit Rama në forumin e Davosit nuk mund të konsiderohet zgjuarsi, duke theksuar rëndësinë që Shqipëria të jetë e pranishme në tryezat ndërkombëtare.

“A humbi Rama duke mos qenë në Davos? Nuk do ta quaja zgjuarsi. Unë vij në pikën e kontaktit, se Shqipëria, po ashtu si të gjitha vendet që u është dërguar ftesa, ka nevojë të bëhet pjesë e Bordit të Paqes. Të gjithë kanë rolin për të qenë aty.”

Duke folur për çështjen e lobimit, Prenga sqaroi se nuk bëhet fjalë për lobim në interes të Shqipërisë si shtet, por për një lobim personal.

“Sa i përket lobimit, jo për Shqipërinë, sepse për Shqipërinë nuk është bërë lobim.”

Sipas tij, ndikimi i Tony Blair është i padiskutueshëm, për shkak të marrëdhënieve që ai ka në nivel ndërkombëtar.

“Kam bindjen që, nga marrëdhëniet që kanë, ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair ka ndikuar padiskutim në këtë lobim personal. Ai paguhet për këtë, pasi lobon dhe kjo është normale në çdo vend të botës.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos