“Pakica nuk shantazhon dot shumicën”, Berisha i përgjigjet Ballës: Me zgjedhjen e Endrit Shabanit shkelmuan çdo mundësi bashkëpunimi

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2025, 13:28 | Politikë

“Pakica nuk shantazhon dot shumicën”, Berisha i përgjigjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se me veprimet që PS bëri për të zgjedhur Endrit Shabanin si Avokat të Popullit shkatërroi çdo mundësi bashkëpunimi me opozitën.

“Për sa i përket deklaratës së Taos, apo Taulant Begoyarisit, dua të them vetëm kaq. Partia Demokratike nuk ka njohur zgjedhjet, ka arritur për herë të dytë në historinë e pluralizimit damkosjen ndërkombëtare të tyre, duke paraqitur qindra e mijëra fakte. Shumë shpejt do të paraqesim në publik botimin tonë prej 1500 faqesh, për dhunën, grabitjen, farsën zgjedhore 2011. PD me gjithë këtë u angazhua në një proces, duke menduar se, në mbështetje të rekomandimeve të OSBE-ODIHR, do mund të bëheshin disa ndryshime për përmirësimin e kuadrit zgjedhor, me bindjen absolute se çdo ndryshim nuk bën të mundur zgjedhje të lira, për sa kohë Edi Rama të jetë në pushtet. Jo. E njëjta gjë për reformë territoriale”, tha Berisha në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.

“Por me aktin që kryen me Avokatin e Popullit, shkelmuan çdo parim të bashkëpunimit minimal. Çdo parim të bashkëpunimit minimal. Edi Rama zgjodhi avokat njeriun e tij. Njeriun që hynte e dilte, bënte pazare në zyrën e tij dhe kjo është e padiskutueshme”.

Socialistët vendosën në mbledhjen e grupit parlamentar që të vijojnë punën për dy komisionet e posaçme, atë të Rrformës Zgjedhore dhe Reformës Territoriale, pavarësisht bojkotit të PD. “Nuk ka vend për kushte, kërcënime apo shantazhe ndaj mazhorancës dhe Kuvendit”, u shpreh kreu u grupit parlamentar, Taulant Balla. “Pakica nuk mund të marrë peng nevojën e reformave. Nëse opozita nuk reflekton dhe nuk kthehet në komisione, atëherë ne do të respektojmë vullnetin e shqiptarëve që kanë caktuar se kush është shumica dhe kush pakica. Jam i bindur se emocionet do t’u kalojnë pas gjelit të detit dhe bakllavasë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos