Miratimi i raportit vjetor për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, është lexuar në mënyra të ndryshme nga politika. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashmte, Ferit Hoxha, komentin e tij për miratimin e këtij dokumenti për Shqipërinë e dha nga Shkodra, ku ishte për një vizitë në universitetin Luigj Gurakuqi.
Sipas Hoxhës, raporti është një vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha tha: “I kam ndjekur në distancë, diskutimet dhe miratimin e këtij dokumenti që për mua është i dyti më i rëndësishëm. Kemi shumë gjëra për të bërë, por në thelb ajo rezolutë vërteton rrugën e drejtë në të cilën jemi”.
Edhe për Presidentin, Bajram Begaj, miratimi i raportit është një vlerësim për reformat e ndërmarra dhe përparimin që ka bërë vendi.
Miratimi i Raportit për Shqipërinë në Komitetin për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian është një vlerësim për reformat e ndërrmarra për përparimin e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Shqiperia është e vendosur dhe e përkushtuar në rrugën e saj evropiane për arritjen e objektivit strategjik, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Begaj.
Ndërsa për kryetarin e opozitës, Sali Berishën, ky raport ka nota kritike për qeverinë, ndërsa shton se Partia Demokratike do të angazhohet për të plotësuar çdo rekomandim që vjen nga Parlamenti Evropian.
“Ky është raporti më serioz që bazohet në raportin e OSBE/ODIHR dhe të parlamentarëve të Parlamentit Europian që vëzhguan zgjedhjet. Dhe kanë qëndruar në tezën se zgjedhjet u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet. Zgjedhjet në kushtet e partisë-shtet janë farsë dhe vetëm farsë”, tha Berisha.
Duke iu referuar edhe raportit të OSBE-ODIHR, Berisha përsërit akuzën se zgjedhjet e 11 Majit nuk ishin të barabarta. (A2 Televizion)