
Kryeministri Edi Rama ka replikuar në distancë me Reporterët pa Kufij, një organizatë joqeveritare që mat lirinë e medias në botë. Në raportin e këtij viti, botuar në fund të prillit, Shqipëria renditej në vend të 83-të, duke humbur 3 pozicione nga viti 2025.
Pas raportit, Rama tha se Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, është në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht, sipas raportit të SIGMA-OECD, “një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysmë të vërtetave!”.
Reporterët pa Kufij i është përgjigjur Ramës duke i thënë se ata nuk matin komunikimin e qeverisë, por lirinë e medias. “Renditja e Shqipërisë reflekton sulmet politike, abuzimin e agjencive ligjzbatuese, transparencën e ulët të mediave dhe kërcënimet e gazetarëve”, reagoi organizata në X.
Kryeministri reagoi sërish ndaj organizatës. “Unë nuk thashë kurrë që matni komunikimin qeveritar, por tani që e përmendni, po mendoj: A nuk do të ishte ndoshta një ide e mirë që të lexosh raportet e atyre që e bëjnë këtë në mënyrë profesionale dhe objektive? Kjo mund t’ju ndihmojë, sepse dalin në pah kundërshti të rëndësishme mes vlerësimeve të juaja dhe atyre të tyre, kur bëhet fjalë për marrëdhënien mes qeverisë, medias dhe publikut në një vend të lirë si Shqipëria, ku, ndryshe nga sa keni pretenduar dikur, dhe jo vetëm një herë, Agjencia për Informim Mediatik duket se ka qenë një ide shumë e mirë në shërbim të lirisë së informimit. Kjo është e gjitha”, tha Rama. (A2 Televizion)