Qeveria ka vendosur që indeksimi i pensioneve të nisë nga 1korriku, tre muaj më herët se zakonisht. Gjithashtu, 300 punonjës të administratës publike do të kenë mundësi të përfitojnë kredi pa interes për blerjen e një banese, sipas kritereve të përcaktuara. Ndërkohë, janë miratuar edhe masa për rritjen e mbështetjes së nxënësve në arsimin profesional.
Pensionet për të moshuarit dhe kategoritë e tjera përfituese do të indeksohen nga 1 korriku. Qeveria ka afruar me tre muaj datën për rritjen e pensioneve.
“Kemi krijuar hapësirat e nevojshme buxhetore për të krijuar mundësinë që të afrohet procesi i indeksimit në muajt qershor apo korrik. Megjithatë, është një çështje vendimmarrjeje të cilën besoj se do ta ndajmë me ju sapo të kemi dakordësinë me Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, njoftoi ministrja Ibrahimaj.
Ndërkohë nga mësuesit e policët te mjekët apo infermierët te ushtarakët, diplomatët... bashkë me ata që punojnë në Ministrinë e Bujqësisë, atë të Drejtësisë dhe Ekonomisë dhe Inovacionit do të mund të marrin kredi pa interesa për të blerë shtëpi. Janë 300 punonjës të administratës publike, përfshirë rrogëtarët në Ministrinë e Financave, Infrastrukturës dhe Energjisë, Turizmit dhe Mjedisit dhe Kryeministri që mund të aplikojnë për të përfituar nga programi i qeverisë.
“Për të përfituar nga politika e strehimit social, ata që punojnë në shtet duhet të kenë një kontratë afatgjatë. Gjithashtu ata duhet të mos kenë banesë në emër të tyre apo familjarëve dhe të kenë të ardhura të mjaftueshme për të shlyer kredinë, por më pak se 135 mijë lekë në muaj”, deklaroi ministrja.
Në mbledhjen e së premtes, Qeveria ka miratuar edhe një vendim që rrit kuotat për mbështetjen e nxënësve në shkollat profesionale.
“Arsimi profesional është sot baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, apo Austrisë, dhe ndërkohë, është ende zonë jo shumë e kërkuar dhe ende e paragjykuar nga shumë prindër, të cilët mendojnë se në arsimin profesional ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsim të përgjithshëm”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj argumentoi se vendimet e Këshillit të ministrave janë një formë përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve. (A2 Televizion)