Edhe pasditen e së premtes pati tensione mes forcave të policisë dhe mbështetësve të Adriatik Lapajt në sheshin para Kryeministrisë.
Policia ndërhyri sërish, pasi protestuesit ngritën një çadër.
Duke folur për A2CNN, vajzat që ndodheshin brenda çadrës treguan se çfarë ndodhi.
“Është hera e dytë që Policia e Shtetit dhe Edi Rama i frikësohen një çadre kampingu të vendosur nga protestuesit. Ne thjesht vendosëm një çadër ku ishim 5 vajza. Ne kemi qëndruar me karrige këtu, por çadrën nuk na e lejojnë. Kryeministrit i fusin tmerrin 5 vajza dhe një çadër kampingu”, tha njëra prej aktivisteve.
“Ishim brenda çadrës kur Policia e tërhoqi çadrën me ne brenda. Ne nuk po shkelim ligjin, por siç duket frika e bën Edi Ramën të ushtrojë dhunë ndaj qytetarëve”, shton aktivistja. (A2 Televizion)