
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Belinda Ballukut në detyrë është një tjetër provë në dritë të diellit e kapjes së plotë të sistemit të drejtësisë nga Edi Rama. Kështu është shprehur sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në një reagim në rrjetet sociale menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit PL e Meta kanë paralajmëruar se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të sillte pasoja shumë shumë të rënda për vendin.
“Partia e Lirisë dhe Presidenti Ilir Meta prej kohësh kanë paralajmëruar se kapja e Gjykatës Kushtetuese do të sillte pasoja shumë shumë të rënda për vendin. Sot, ato paralajmërime u materializuan me brutalitet, një gjykatë që duhej të ishte barriera e fundit ndaj abuzimit të pushtetit është shndërruar në një instrument zyrtar të mbrojtjes politike, pandëshkueshmërisë dhe garantimit të imunitetit politik për korrupsionin e përbindshëm të Edi Ramës. Gjykata Kushtetuese nuk po mbron më Kushtetutën, por Narkoshtetin. Siç e tha qartë edhe McGonigal, “Ramaforma” ishte një “mundësi e madhe” vetëm për Edi Ramën dhe ndërkombëtarët e korruptuar prej tij, dhe që po konfirmohet çdo ditë se është një humbje shumë e madhe për popullin shqiptar”, thekson Blushi.
(A2 Televizion)