Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem për një karrige

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 22:24 | Politikë

Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka sqaruar pozicionin e tij politik dhe raportin me Partinë Socialiste, duke theksuar se mbetet anëtar i saj, por pa asnjë ambicie për poste apo role formale. I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, Malaj u shpreh se angazhimi i tij publik buron nga bindjet dhe parimet, jo nga interesi personal.

“Unë nuk jam aktiviste. Unë e kam ndarë me të. Jam anëtar i Partisë Socialiste i përjetshëm dhe mirënjohës, por nuk e lë parimin për ndonjë karrige,” deklaroi Malaj. Ai shtoi se aktiviteti i tij është kryesisht akademik dhe shoqëror, ndërsa rrjetet sociale i përdor për të komunikuar ide dhe qëndrime, jo për fushata personale.

Duke iu referuar eksperiencës së tij si kandidat i pavarur në Vlorë, Malaj u ndal edhe te partitë e vogla dhe figura të reja politike. Sipas tij, rezultatet treguan se besimi ndërtohet me kohë dhe investim të përditshëm. “Lapaj erdhi si parti në Vlorë kur dola unë i pavarur. Ai, bashkë me partitë e vogla, morën shumë më pak vota se sa mora unë si kandidat,” tha Malaj.

Malaj sqaroi se qëndrimi i tij ndaj kryeministrit Edi Rama nuk është rivalitet personal apo ambicie për pushtet. “Unë s’dua ta mund Ramën. Unë do vazhdoj ta kritikoj. Jam si pika e ujit, konstante,” u shpreh ai.

Ai theksoi se politika serioze duhet të ofrojë alternativa të qarta për qytetarët. “Del atje, thua një, dy, tre prioritetet, ja programi alternativ, ja pesë pikat kryesore, ja pesë njerëzit kryesorë,” tha Malaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos