PS mbledh asamblenë me 21 mars, “pranverë” në Selinë Rozë, Klosi: Rifreskimi i partisë edhe në Diasporë

Nga Fjorela Beleshi
11 Mars 2026, 15:45 | Politikë

Pas ndryshimeve në qeveri, kryeministri Edi Rama ka kthyer sytë nga punët e partisë. Në mbledhjen e kryesisë me dyer të mbyllura në selinë rozë, Rama vendosi që javën e ardhshme të mbledhë asamblenë për të dhënë direktivat e zgjedhjeve brenda partisë.

“Duke i hapur rrugë thirrjes së asamblesë kombëtare në datën 21 mars, do të kërkojë një proces zgjedhor në të gjithë strukturën vendore të Partisë Socialiste dhe ky proces do të fillojë me zgjedhjet e kryetarëve të organizatave. Do të shkojë në zgjedhjen e forumeve lokale të Partisë Socialiste, do t'i hapi rrugën dhe zgjedhjeve të reja, por po ashtu dhe atë anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste që gjithmonë kanë kërkuar rifreskim, rifreskim, rifreskim”, tha Blendi Klosi, përcjell A2 CNN.

Pasi morën shumicën e votës së diasporës në zgjedhjet parlamentare, socialistët duhet të tregojnë një kujdes të veçantë edhe për riorganizimin e partisë jashtë territorit shqiptar.

“Do të ketë një vendimmarrje dhe për sa i përket shtrirjes së strukturave lokale të Partisë Socialiste dhe organizimit të strukturave dhe në degët tona në diasporë dhe kryesisht në vendet ku ne kishim edhe numrin më të madh të votave”, tha Klosi. “12 qershori i këtij viti shënon 35-vjetorin e Partisë Socialiste dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë”.

Përpos zgjedhjeve në parti, në asamblenë socialiste do të ndezin edhe motorët për zgjedhjet e ardhshme lokale. Krahas direktivave, të majtët janë në ethe, nëse kryetari i partisë do të bëjë ndryshime në radhët e drejtuesve të qarqeve, ku ai ka rikonfirmuar vetëm Belinda Ballukun si drejtuese në qarkun e Fierit. Të tjerët do të presin vendimet e Edi Ramës në 21 mars. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos