
Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku u prezantua platforma e re ExportOn, një nismë që synon të forcojë mbështetjen për eksportet shqiptare dhe të rrisë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare, shkruan A2. Në fjalën e tij, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kyç, teksa procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian po hyn në një fazë vendimtare, duke hapur mundësi, por edhe sfida të mëdha për ekonominë.
Sipas Kryeministrit, kompanitë shqiptare janë tashmë në një proces transformimi të vazhdueshëm dhe duhet të përgatiten për standardet e tregut europian. “BE është një hapësirë me mundësi të jashtëzakonshme, por edhe me sfida të forta. Fitues do të jenë ata që do të dinë të adaptohen”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se qeveria është e angazhuar të avancojë marrëdhënien me eksportuesit dhe t’i vendosë ata në qendër të politikave ekonomike.
Një ndër prioritetet kryesore, sipas tij, është rritja e vlerës së shtuar brenda vendit. Rama theksoi rëndësinë e përpunimit të lëndës së parë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, ku agro-përpunimi shihet si hapi i radhës për zhvillim. Ai kërkoi reduktim të burokracive doganore dhe mbështetje të fortë te digjitalizimi, për të ulur kohën dhe kostot e eksportit.
Kryeministri vuri në dukje gjithashtu se “Made in Albania” duhet të shndërrohet në një markë cilësie dhe një pasaportë drejt tregut europian. Qeveria, sipas tij, do të mbështesë bizneset që synojnë certifikime ndërkombëtare dhe standarde të BE-së, duke u larguar nga konkurrenca me çmim të ulët dhe duke u fokusuar te cilësia dhe vlera e krijuar.
Në këtë kuadër, Rama theksoi se mbështetja për eksportuesit dhe përforcimi i partneritetit mes shtetit dhe biznesit do të jenë elementë kyç për integrimin ekonomik të Shqipërisë në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)