“Rama është kufomë politike e kalbur”, Berisha: Do ta tërheqim si Enverin nga zyra

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2026, 19:40 | Politikë

Në fjalën e tij para mbështetësve, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se kryeministri Edi Rama është një kufomë politike dhe se do të qëndrojë në zyrë për sa kohë opozita nuk e largon me presion qytetar.

“Njëlloj, sot Edi Rama është një kufomë politike, është një kalbësirë politike, i damkosur, i diskredituar, i tmerruar. Por prapëseprapë, njëlloj si shtatorja e Enver Hoxhës, do mbetet në atë zyrë për sa kohë ne nuk do ta tërheqim prej saj siç tërhoqëm atin e tij shpirtëror 35 vite më parë”, u shpreh Berisha.

Duke sjellë në vëmendje diktatorin Enver Hoxha, Berisha theksoi se diktatura përfundoi vetëm kur u rrëzua shtatorja e tij. Sipas tij, largimi i qeverisë aktuale kërkon reagim të fortë dhe të organizuar nga qytetarët.

“Diktatura hoxhiste ishte një diktaturë e pashembullt në Europë. Ajo, përveç plojës së luftë së klasave, me të cilën ekzekutoi mijëra e mijëra shqiptarë për liri, dinjitet, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, internoi me dhjetëra mijëra të tjerë, persekutoi me qindra mijëra, përdori përveç kësaj tiraninë e mjerimit, izolimin më të thellë, indoktrimin më ekstrem. Pra, ai regjim 46-vjeçar vendosej mbi disa shtylla që rëndonin çdo ditë mbi shqiptarët. Sot, regjimi i Edi Ramës përsëri ngrihet mbi tre shtylla turpi, mbi tre shtylla, të cilat rrënojnë çdo ditë qenien tonë. Në qoftë se Enver Hoxha me varfërinë, mjerimin, skamjen, urinë kronike, shtypjen dhe indoktrinimin, i shndërroi shqiptarët në një popull fantazim, Edi Rama me politikat e tij, me vjedhjet, farsën elektorale, mashtrimin, me krimin dhe ligjin mburojë, po e shndërron Shqipërinë në dheun e joshqiptarëve, po përzë shqiptarët nga Shqipëria, po shkreton kombin dhe vendin për të ndërtuar parajsën e tij dhe të hajdutëve të tij. Miq, pra, ngjashmëritë janë tmerrësisht të hidhura. E vërteta është se kurrë ky komb nuk është vjedhur siç vidhet sot nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos