
Në protestën kombëtare të opozitës, i riu Alessandro Xhufi akuzoi qeverinë për braktisjen e vendit nga të rinjtë, për vjedhjet dhe për qytet e lëna bosh. Gjatë fjalës së tij i riu demokrat theksoi se një brez i tërë është rritur me të njëjtin kryeministër.
“Po si mund ta ketë fajin Saliu? O popull, paramendoni një gjë: kur unë fillova shkollën fillore, Edi Rama ishte kryeministër. Kur fillova gjimnazin, ai ende ishte kryeministër. Edhe sot që jam në universitet, ai prapë është kryeministër. Një fëmijë rritet. Një brez plaket. Një vend vdes. Dhe pushteti nuk ndryshon. Kjo nuk është normale. Kjo është çmenduri. PD-ja ka qenë në pushtet kur unë isha 6 vjeç, por sot, pas kaq vitesh, fajin për gjithçka e paskemi ne? O popull, o njerëz, këta në pushtet jo vetëm që ju vjedhin, por ju shajnë, ju gënjejnë, ju poshtërojnë, dhe mbi të gjitha ju dhunojnë çdo ditë. E prapë, fajin e ka Saliu. O shqiptarë, ju lënë pa bukë, pa punë dhe pa shtëpi. Ju detyrojnë të merrni rrugën e kurbetit. Dhe pastaj ju thonë: ‘Fajin e ka opozita’. E ndjeni çfarë gënjeshtre përcjell propaganda komuniste në këtë vend?”, deklaroi ai.
Sipas tij protesta nuk ka si qëllim hakmarrjen, por drejtësinë dhe dinjitetin kombëtar. Në fjalën e tij, ai bëri thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje qytetare, duke theksuar se Shqipëria u përket qytetarëve dhe jo politikanëve.
“Jam krenar që jam shqiptar. Por më thyhet zemra kur vij këtu dhe shoh pallate madhështore, por që janë bosh. Shtëpi pa drita. Qytete pa të rinj. Më thyhet zemra kur shoh Zegjinen me Sara Milen duke u zgërdhirë me njëra-tjetrën në Parlament. Më thyhet zemra kur shoh brezin tim pa shpresë, pa ëndrra, duke ndjekur modelin e gangsterit. Por si mund të mos ndodhë kjo, kur në krye të vendit kemi kriminelin më të madh të këtij kombi? Gjyshi im më la një amanet. Më tha: ‘O Aleksandro, mbaro shkollën e lartë dhe kthehu në atdhe’. Të dashur miq, nuk do të ketë bir sigurimsi apo prokurori që të ndalojë mua apo secilin prej jush. Sepse Shqipëria nuk është e tyre. Shqipëria është e jona”.
(A2 Televizion)