
SPAK në raportin për vitin 2025 të dorëzuar në Kuvend shprehet se ndryshimet e mundshme ligjore mund të pengojnë punën e tij. Kryeministri Edi Rama, në konferencën për shtyp u përgjigj duke thënë se “nuk është puna e SPAK-ut t’i thotë Parlamentit se çfarë duhet të bëjë Parlamenti”.
"SPAK-u të shikojë punën e vet, ne tonën. Do bëjmë më të mirën që të bëjmë punën tonë sa më mirë. Detyra e SPAK-ut është të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ka të gjithë mbështetjen tonë. Parlamenti është sovran dhe nuk varet as nga SPAK-u, as nga ambasadat dhe as nga askush tjetër. Këto janë gjëra shumë të qarta”, tha Rama, shkruan A2.
“Raporti i SPAK-ut është raport pune për një periudhë të gjatë kohë, nuk besoj se është i lidhur me javën e fundit. Ai është ndryshim i domosdoshëm që do bëhet dhe do votohet. Nuk ka diskutim. Nuk ka shans të ndodhë më në Shqipëri që të çohet një prokuror dhe një gjykatës e të pezullojnë funksionet vitale të qeverisë, të cilat nuk e delegojnë dot punën. Këtu nuk pezullohet personi, por funksioni. Këtë gjë nuk e kanë ditur prokurori e gjykatësi”, shtoi kryeministri. (A2 Televizion)