Reforma e zgjerimit në diskutim, KE për A2 CNN: Integrimi është një proces i bazuar në meritë

Nga Fjorela Beleshi
27 Mars 2026, 15:08 | Politikë

Qeveria e BE-së ka hedhur në tryezë 3 opsione për të reformuar procesin e zgjerimit, për t’u dhënë mundësi vendeve kandidate që të mos rrinë vite në pritje. Këtë e pranoi edhe komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për “Politico”, por sipas saj vendimin duhet ta marrin shtetet anëtare të BE-së.

Sipas mediave në Bruksel, opsioni i parë është vazhdimi i metodologjisë aktuale të zgjerimit. Opsioni i dytë është integrimi gradual para anëtarësimit të plotë, bazuar në reforma. Ndërsa skenari i fundit për zgjerimin është pranimi i anëtarësimit dhe përfundimi i reformave pas bashkimit me familjen europiane, por kjo do të kishte gjithashtu disa mekanizma sigurie për Unionin.

A2CNN iu drejtua KE-së për të mësuar më shumë nëse këto tre propozime u janë prezantuar formalisht shteteve anëtare dhe nëse është pranuar ndonjëri prej tyre. Gjithashtu, A2 pyeti mbi mundësinë e përdorimit të një prej opsioneve për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në përgjigje theksohet rëndësia gjeopolitike dhe progresi mbi bazën e meritës.

Komisioni Europian për A2CNN: “Politika e zgjerimit e BE-së është më shumë se kurrë një investim gjeostrategjik në prosperitetin, stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të kontinentit tonë. Që nga fillimi i këtij mandati, ne i kemi bërë thirrje të gjithëve, si Unionit ashtu edhe vendeve kandidate, që të shfrytëzojnë këtë moment. Zgjerimi sjell përfitime të qarta si për shtetet anëtare, ashtu edhe për vendet aspirante. Dhe një gjë është e qartë: zgjerimi ka të bëjë edhe me sigurinë. Në kontekstin aktual gjeopolitik, duhet të sigurojmë që qasja jonë të jetë e përshtatshme për qëllimin. Siç e kanë bërë të qartë vazhdimisht Presidentja Von der Leyen dhe Komisionerja Kos, ne kemi një parim bazë: zgjerimi është një proces i bazuar në merita. Komisioni është i gatshëm të vazhdojë këtë diskutim me shtetet anëtare”.

Për të qartësuar këtë moment, reformimi nga i cili mund të prekej edhe Shqipëria, A2CNN iu drejtua edhe Këshillit të BE-së për të pyetur nëse këto propozime të Komisionit po diskutohen zyrtarisht me përfaqësuesit e vendeve anëtare.

Këshilli i Bashkimit Europian për A2CNN: “Konfirmoj se propozime të tilla nuk janë paraqitur dhe as diskutuar në Këshill ose në organet e tij përgatitore (përfshirë COELA), të paktën për momentin”.

Pak ditë para se të propozohej nga vetë KE, Kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti i Serbisë u vetofruan, përmes një editoriali, të pranojnë variantin e integrimit gradual, pa të drejtë vetoje, pa komisionerë dhe pa deputetë në Parlamentin Europian. “Nuk jemi naivë”, thanë ata përballë skepticizmit europian për zgjerimin, ndaj pranojnë afrimin me Europën përmes anëtarësimit në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe në Zonën Shengen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos