
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka folur për gazetaren e A2 CNN, Elitjona Doko, pasi ka përfunduar takimi i thirrur prej tij në qytetin e Durrësit.
Salianji tha se procesi i ripërtëritjes së PD-së duhet përshpejtuar, gjë që sipas tij, e tregoi edhe pjesëmarrja qytetare në takimin e zhvilluar në Durrës.
Ai shtoi gjithashtu se ka bërë burg për Partinë Demokratike dhe se do të jetë gjithmonë në krah të çdo demokrati e qytetari.
“Ajo që unë kam thënë se duhet përshpejtuar procesi i ripërtëritjes së PD-së, besoj se u tregua në një sallë që ishte e tejmbushur dhe që kishte njerëz pafundësisht jashtë. Ky është një zgjim për PD-në.
Shumë prej figurave të rëndësishme nuk janë kontaktuar në 7 muajt e fundit dhe unë falenderoj çdo demokrat që ishte këtu, gjithë strukturën e lartë të PD-së të zgjedhur me votë për degën Durrës që ishte këtu.
U kërkua nga miq që të bënim takimin këtu dhe ne ishim të pranishëm. Unë jam përherë në krah të qytetarëve dhe demokratëve. Unë kam bërë burg për PD-në. Shumë prej nesh këtu kanë sakrifikuar vendet e punës dhe financat, si dhe kanë mbajtur mbi supe represionin”, tha mes të tjerash Salianji pë A2 CNN. (A2 Televizion)