S’ka konsensus, drejt djegies procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 18:38 | Politikë

S’ka konsensus, drejt djegies procedura për zgjedhjen e Avokatit
Procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit mund të rinisë nga e para. Kur dukej se mes palëve po gjendej konsensusi dhe emrat ishin në tryezë, demokratët janë tërhequr nga mbështetja për të gjithë kandidatët.

Në mbledhjen e grupit me dyer të mbyllura, deputetët e PD kanë vendosur që të tërheqin firmat mbështetëse për të 7-të kandidatët.

 “Nënshkrimet e deputetëve të opozitës janë dhënë përpara kualifikimit të kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve, pavarësisht se kur kandidatët vetë i kanë depozituar në Kuvend dhe një pjesë prej tyre i kanë përdorur në kundërshtim me ligjin si propozim për votim (gjë që nuk është e vërtetë) në kuptim të nenit 9 të ligjit për Avokatin e Popullit.  Pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që i është njoftuar zyrtarisht grupeve parlamentare, që “1 deputet mbështet vetëm 1 kandidat sipas ligjit”, deputetët e opozitës kanë tërhequr të gjitha nënshkrimet e dhëna paraprakisht, dhe kanë propozuar ndërtimin e një procesi transparent përzgjedhje mazhorancë-opozitë. Mbetemi në pritje të përgjigjes institucionale të Kryetarit të Kuvendit për të proceduar më tej”, thuhet në vendimin e grupit të PD.

Tërheqja e nënshkrimeve është depozituar edhe zyrtarisht në Kuvend, duke rrezikuar kështu djegien e të gjithë procedurës. Lidhur me këtë vendim të demokratëve, mazhoranca në Kuvend ende nuk ka dalë me qëndrim nëse do të pranojë tërheqjen e firmave të demokratëve.

Procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit kishte kaluar disa faza, ku tashmë pritej vetëm votimi i emrave në seancë plenare. Kjo tërheqje e demokratëve erdhi në të njëjtën ditë në të cilën mazhoranca bëri të qartë se nuk pranonte formulën e propozuar nga PD për reduktimin e kandidaturave përmes eleminimit, fillimisht në 6 e më pas në 3, nga ku do të dilte i preferuari i opozitës.

PS kërkoi që të gjitha kandidaturat që kanë marrë mbështetje me firma nga deputetët e PD të kalonin për votim në seancë plenare, pa e fshehur se i preferuari për të majtët ishte Endrit Shabani, ish-kryetar i Nismës Thurrje.     (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos