Salianji rikthehet tek Berisha? Paralajmëron Bledian Koka: Ka pasur pajtime edhe më parë, opozita të sqarojë pozicionin e saj

Nga A2 CNN
27 Maj 2026, 21:05 | Politikë

Duke komentuar ndryshimet statutore që priten të miratohen në kryesinë e PD-së, gazetari Bledian Koka theksoi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, se një nga elementët pozitivë është fakti që në statut nuk ekziston një “nen Salianji”. Sipas tij mungesa e një neni të tillë tregon që konfliktet nuk kanë qenë personale, duke lënë të hapur mundësinë e pajtimit, sikurse ka ndodhur edhe më parë në PD.

“Lajmi i mirë është që nuk ka një nen Salianji, sepse për mua kjo do të ishte problem, kjo do ta vinte Partinë Demokratike nën akuzë, që gjithë betejën kundër Salianjit e bëri personale, se kishte frikë Salianjin se mos i merrte partinë zotit Berisha. Dhe pika e dytë e kësaj është që Neni Basha është prapë aty. Nuk ka një nen në statutin e ndryshimeve që mund të quhet neni Salianji, që do të thotë që ai vazhdon të jetë një interpretim i brendshëm i partisë. fakti që sot nuk kemi dhe nuk mund të diskutojmë për një nen Salianji në statutin e ri të Partisë Demokratike, më bën të besoj që kjo nuk ka qenë personale, por ka qenë për shkak të disa situatave, që asnjëra palë, po as tjetra që mori përsipër ta bënte antagonizmin nuk e sqaruan dot deri në fund sepse ata që dinë çështjen nga brenda dinë që përpara se të vinim te konflikti kemi patur dhe negociata. Pyetja është që ata që ishin pjesë e konfliktit, sot janë zënë nesër mund të pajtohen prapë. Partia Demokratike ka treguar këtë gjënë”, tha Koka në Off the record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Sipas Kokës, krijimi i një komisioni vlerësimi për kandidaturat në PD ishte i nevojshëm, pasi sipas tij duhet të ekzistojë një mekanizëm filtrimi dhe vlerësimi për ata që synojnë poste drejtuese në parti.

“Mendoj që ishte realisht i nevojshëm një komision vlerësimi. Duhet të ketë një mekanizëm merite dhe kontributesh. Jo kushdo që vjen në Partinë Demokratike të garojë menjëherë për kryetar partie”, u shpreh ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN..

Koka thekson gjithashtu se opozita duhet të japë përgjigje të qarta për reformën territoriale dhe objektivat për zgjedhjet lokale të ardhshme.

“Partia Demokratike duhet të sqarojë pozicionin e saj. Sa bashki do të ketë? Si do të funksionojë reforma territoriale? Këto janë çështje më të rëndësishme sesa ndryshimet statutore”, tha Koka.

Koka theksoi se sfida kryesore për PD-në mbetet qartësimi i vizionit politik dhe krijimi i një opozite funksionale që ofron alternativa konkrete për qytetarët shqiptarë. Ndërsa e sheh me sy kritik zgjerimin e Këshillit Kombëtar nga 150 në 200 anëtarë, edhe pse lidhet me përfshirjen më të madhe të diasporës, forumeve dhe organizatave partnere.

“Nuk e dimë se çfarë qëndrimi dhe ku qëndron pozicioni i Partisë Demokratike dhe në rast se nuk realizohet ky qëndrim, çfarë ndodh me negociatat. Pra këto janë gjëra më të rëndësishme sesa disa ndryshime statutore që për shembull bëjnë një gjë tjetër që pra për mua është pak e kritikueshme që anëtarin që këshillin kombëtar çojnë nga 150 në 200. Unë mendoj që 150 ishin shumë ndërkohë që në vend që ta reduktojmë pak e shtojmë. Sqarimi është kështu që është aktualisht 150 dhe 50 do koutohen sepse do zgjerojmë dhe organizatat partnere që janë Diaspora, Gruaja, Dhjetor ‘90 dhe kush janë dhe forumi me qëllim që kjo do t'i shërbejë hapjes. Pra ka kritika aty brenda, por realisht mendoj që sfida më e madhe është që Partia Demokratike është në kohën që të fillojë sqarimin e disa gjërave që të paktën për anëtarësinë e saj dhe për ata që duan që dhe presin nga opozita ca zgjidhje të jenë më të qarta”.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos