
Kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin me raketa balistike të regjimit iranian ndaj Turqisë, duke e cilësuar atë si një veprim shumë të rrezikshëm që kërcënon stabilitetin rajonal dhe sigurinë ndërkombëtare, raporton A2CNN.
Në një reagim në platformën “X” Rama theksoi se Shqipëria e dënon në termat më të fortë sulmin e regjimit iranian, duke nënvizuar se ky është sulmi i dytë i tillë brenda pak ditësh dhe se kjo situatë është thellësisht shqetësuese.
"Shqipëria dënon ashpër sulmin me raketa balistike të regjimit iranian kundër Turqisë. Fakti që ky është sulmi i dytë i tillë në ditët e fundit është thellësisht shqetësues dhe thekson edhe më tej natyrën agresive dhe destabilizuese të këtyre veprimeve. Turqia është një vend mik dhe një partner strategjik i Shqipërisë dhe një Aleat i çmuar i NATO-s. Përpjekjet e regjimit iranian për të përhapur tension dhe paqëndrueshmëri përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj fqinjëve të tij janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta përshkallëzojnë më tej situatën dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare", shkruan Rama.
"Shqipëria vlerëson reagimin e shpejtë të NATO-s në mbrojtje të territorit, hapësirës ajrore dhe qytetarëve të Aleancës. Shqipëria qëndron fort krah për krah me Turqinë dhe me të gjithë Aleatët në mbrojtje të sigurisë dhe unitetit të Aleancës sonë", vijon ai. (A2 Televizion)