Berisha: Rama mbylli dyert e integrimit në BE duke mbrojtur Belinda Ballukun

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 13:03 | Politikë

Berisha: Rama mbylli dyert e integrimit në BE duke mbrojtur Belinda

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në një konferencë për mediat nga selia blu, kreu demokrat akuzoi Ramën për sulm ndaj drejtësisë dhe procesit të integrimit europian.

“Edi Rama sot sfidoi çdo shqiptar, sfidoi qytetarët shqiptarë. Nuk është një sulm kryesisht nga SPAK-ut, ndaj drejtësisë kjo që po bën sepse në këtë drejtim, drejtësia po përfaqëson ju, po përfaqëson ligjin dhe interesat tuaja. Por ky është një sulm direkt ndaj jush, ndaj dinjitetit tuaj, ndaj lirive tuaja. Ky është një sulm me të cilin Edi Rama u thotë ju se ai qëndron mbi ligjin dhe se ai si një narkodiktator i vërtetë vendos në këtë vend për gjithçka dhe për çdo gjë. Ai, sot dëshmoi më shumë se kurrë se është i gatshëm t’i përdorë mandatet e tij të krimit si bajoneta kundër qytetarëve shqiptarë dhe interesave të tyre në tërësi. Dhe në veçanti për mbylljen e dyerve të integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, mesazhi që kryeministri dha ishte se Balluku është e paprekshme dhe se drejtësia nuk mund të veprojë kundër saj.

“Rama hoqi çdo lloj maske dhe doli publikisht në mbrojtje totale duke vënë në peng Kushtetutën e vendit, ligjet e vendit, ndarjet e pushtetit dhe procesin e integrimit evropian. Edi Rama iu tha shqiptarëve sot se Belinda Balluku është e paprekshme. Se Skapi është një zero me bisht. Se drejtësia nuk ekziston. Dhe se ai nuk ka ndërmend të përfillë asgjë nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos