Shqipëria shpalli Iranin shtet terrorist, Robelli: Pjesë e një serviliteti që askush nuk po e kërkon

Nga A2 CNN
17 Mars 2026, 22:05 | Politikë

Gazetari Enver Robelli, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se rezoluta e sotme e miratuar në Parlament, që shpalli Iranin shtet që financon terrorizmin, është “pjesë e një farë serviliteti që në fund askush nuk e kërkon”.

“Me çfarë lehtësie krijohet një shumicë në Parlamentin e Shqipërisë për të miratuar një rezolutë që në fund të fundit nuk ka ndonjë efekt të madh, të jemi shumë realist, dhe në anën tjetër shkaktohen drama të jashtëzakonshme dhe nuk ka kurrë mirëkuptim për të miratuar një rezolutë për Serbrenicën. Në këtë kuptim unë e shoh më shumë si njërën nga këto paradat e shumta të kryeministrit të Shqipërisë, i cili është i pasfiduar edhe nga opozita, edhe nga partia e tij, është një grup ushtarësh të cilët ushtrojnë 24 orë për të thënë PO. Nuk ka një debat politik, nuk ka një debat mbi përdorimin e gjuhës dhe të qëndrimeve që do të mbajë shteti, sepse qëndrimet që mban shteti janë shumë të rëndësishme. Më kujton pak atë vendimin historik për të ndaluar Tiktokun, pastaj del Gjykata Kushtetuese dhe thotë “jo, ishte antikushtetuese”. Në përgjithësi, e shoh si pjesë të një farë serviliteti që në fund askush nuk ia kërkon. Nuk besoj që vëmendja e zotit Trump është aq e madhe që ta regjistrojë që sot në Tiranë është miratuar një rezolutë dhe i ka bërë një nder shumë të madh. Ai po zhvillon një polemikë të tmerrshme, të jashtëzakonshme me Bashkimin Evopian sonte dhe faktikisht tha që do të shqyrtojë edhe qeverimin e Shteteve Bashkuara të Amerikës në NATO për shkak të refuzimit të europianëve për t'u bërë pjesë e luftës së tij”, tha Robelli.

“Rezoluta mund të miratoni sa të doni. Problemi është te mënyra se si zhvillohen debatet në politikën shqiptare dhe si merren vendimet. Sepse kur miratoni një rezolutë ju merrni përsipër edhe disa obligime ndërkombëtare. Ju obligoheni që ta luftoni Iranin për shkak se është shtet që sponsorizon terrorizmin dhe pse nuk është bërë kjo para 3-4 viteve, kur Irani ka sulmuar Shqipërinë dhe ia ka vjedhur të dhënat gati gjysmës së shqiptarëve. Janë rezoluta me mbulesa të populizmit për çështje të jashtme dhe të brendshme”, shtoi Robelli.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos