Gazetari Bledian Koka ka deklaruar se veprimet e fundit politike dhe institucionale në vend tregojnë se kryeministri Edi Rama ndodhet përballë një goditjeje të fortë, e cila sipas tij po vjen përmes SPAK-ut dhe me një prapavijë të qartë ndërkombëtare.
I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin, Koka u shpreh se sistemi aktual i pushtetit në Shqipëri funksionon mbi presionin dhe kontrollin e administratës publike, duke e krahasuar situatën me periudhën e fundit të regjimit para vitit 1991.
“Bëjmë sikur nuk kuptojmë që këtu 180 mijë njerëz të administratës, po t’i shumëzosh me tre, dalin fiks aq sa votat e Partisë Socialiste sot. Ata nuk votojnë lirshëm, votojnë nën presionin e bukës së gojës”, tha Koka.
Sipas tij, degradimi i shtetit është i dukshëm, ndërsa krizat si përmbytjet kanë treguar qartë mungesën e funksionimit institucional.
“Nga 2013 deri sot janë marrë mbi 100 miliardë euro taksa nga qytetarët dhe sërish përmbytemi më keq se në ’97-ën apo para ’91-it. Kjo tregon se shteti ka rënë,” theksoi gazetari.
Koka u ndal edhe te figurat e larta të qeverisë, duke deklaruar se disa prej tyre janë “politikisht të vdekura”, por ende shfaqen në publik.
“Zëvendëskryeministrja del në ekran si hajdutët e kapur me presh në dorë, pa ditur ku të shkojnë,” u shpreh ai.
Duke bërë një paralelizëm të drejtpërdrejtë me vitin 1991, Koka tha se edhe atëherë zgjidhja nuk erdhi në mënyrë “ortodokse”, por me ndikim të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot shoh një dekadencë pushteti identike me atë të ’91-shit. Edhe atëherë ndërhyrja nuk ishte klasike, por erdhi nga SHBA,” tha Koka.
Ai komentoi gjithashtu deklaratat e fundit të kryeministrit Rama ndaj SHBA-së, duke i konsideruar si një sinjal për një përplasje të hapur.
“Kur një kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s i thotë Amerikës se mund të zgjedhë Kinën, kjo tregon se përplasja është e madhe. Dhe mekanizmi që po vepron kundër tij, sipas meje, është SPAK-u,” tha Koka. (A2 Televizion)