“21 Janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë”- Rama thirrje SPAK: Të hetohet imtësisht vrasja e 4 protestuesve!

Nga A2 CNN
25 Janar 2026, 10:19 | Politikë

“21 Janari erdhi me hijen përqeshëse të

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për ngjarjet e 21 Janarit të vitit 2011, ku 4 protestues u vranë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Në podkastin e tij "Flasim", shefi i Qeverisë i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të kryejë me rigorozitet punën hetimore, me qëllim nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Po ashtu Rama e cilësoi 21 Janarin si një plagë të hapur, teksa shtoi se vrasjet e 4 protestuesve ishin krime shtetërore, për të cilat sipas tij, Drejtësia kurrë nuk do të harrojë.

"Kjo ishte edhe java e trishtë e 21 janarit, 15 vite pas krimit shtetëror, vrasjes së katër burrave të pafajshëm protestues, tërësisht paqësor, me pushkët e shtetit në bulevard dhe përsëri 21 janari erdhi me hijen përqeshëse të padrejtësisë. Kjo mbeti një plagë e hapur, jo thjesht për familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, por kjo mbeti një plagë e hapur për moralin e drejtësisë në Shqipëri dhe për themelet e drejtësisë së shtetit shqiptar.

Ne përsëri u mblodhëm dhe e bëmë ritin e nderimit në kujtim të katër Dëshmorëve të Atdheut në praninë e familjarëve të tyre, të cilët presin, presin, presin drejtësi. Dhe 21 janari është në llojin e atyre krimeve që unë i kam thënë qysh krye të herës: ‘Janë krime shtetërore për të cilat drejtësia vonon, por asnjëherë nuk harron’. Krimet shtetërore duan kohë të zbardhën, por koha nuk i zhbën dot nga kujtesa. dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë.

Uroj, shpresoj që SPAK-u, i cili prej gjashtë vjetësh ka marrë jetë dhe gëzon mbështetjen e padiskutueshme dhe ka pasur gjatë gjithë kohës inkurajimet më të sinqerta për të shkuar përpara, për të luftuar për të vendosur drejtësinë përfundimisht në binarët e rinj të barazisë para ligjit për të gjithë, të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim, që është një njollë për drejtësinë shqiptare dhe nuk duhet lejuar që të bëhet njollë, sepse do të jetë e pashlyshme, për vetë SPAK", tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos