“Uragani i djeshëm i kalli datën Ramës!” Berisha: Dënoj dhunën shtazarake mbi protestuesit, u përdor spraj ariu kundër qytetarëve

Nga A2 CNN
18 Prill 2026, 12:52 | Politikë

“Uragani i djeshëm i kalli datën Ramës!” Berisha:

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka denoncuar dhunën policore ndaj protestuesve gjatë protestës së djeshme. Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, kreu demokrat tha se protestues dhe drejtues të opozitës janë goditur dhe arrestuar, ndërsa akuzoi policinë për përdorimin e “sprajit të ariut” ndaj qytetarëve, të cilin e cilësoi si veprim të paprecedentë dhe të dënueshëm.

“Dënoj me forcën më të madhe dhunën ndaj protestuesve dhe dhunën e hapur dhe të programuar ndaj drejtuesve kryesorë të PD dhe deputetëve të kësaj partie, të cilët ishin absolutisht që të gjithë në protestën më paqësore dhe po jepnin kontributin më të madh për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, të cilën banditë me uniformë, bënë gjithçka për ta shndërruar atë në një protestë të dhunshme. Për këtë qëllim, në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve. Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë. Dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, disa protestues janë dhunuar në komisariate dhe kanë pësuar lëndime, ndërsa kërkoi hetim për veprimet e policisë gjatë protestës.

“Dënoj torturat e ushtruara ndaj tyre në komisariat. Edhe sot në komisariat ka demonstrues të torturuar me shenja të hapura tortura. Aulon Kalaja, pasi u verbua me spraj ariu, u godit në një hakmarrje të verbër me shkop prapa koke, duke e lënë pa ndjenja”.

Berisha theksoi se uragani i djeshëm i kalli datën Ramës.

“Dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos