Në Durrës po vijon procesi i votimit në referendumin e Partisë Demokratike. Sipas anëtares së komisionit të votimit, Edlira Sota, pjesëmarrja ka qenë e lartë dhe procesi po zhvillohet pa asnjë problem.
Në një prononcim për gazetaren e A2 CNN, Elitjona Doko, Sota theksoi se në listat e votimit figurojnë edhe persona që më parë janë përjashtuar nga strukturat e partisë, duke u dhënë atyre mundësinë të marrin pjesë në proces.
“Pjesëmarrja ka qenë goxha e lartë, procesi vazhdon normalisht pa asnjë problem. Kush ka ardhur ka gjetur emrin e tij në lista. Në orët në vijim presim që numri të rritet. Të gjitha moshat kanë marrë pjesë, të gjithë anëtarët që e kanë emrin në listë kanë votuar,” u shpreh Sota.
E pyetur nga gazetarja për anëtarët që janë deklaruar në krah të Ervin Salianjit, ajo theksoi se edhe ata figurojnë në listë dhe kanë mundur të votojnë.
“Të gjithë e kanë emrin në listë, përfshirë edhe ata. Madje disa prej tyre kanë ardhur dhe kanë votuar. Edhe të përjashtuarit e kanë emrin në listë, kështu që mund të vijnë të shprehin vullnetin e tyre,” shtoi ajo. (A2 Televizion)