Në seancën që po zhvillohet këtë të enjte në Parlament ku do të votohet raporti për heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut, mungojnë 3 deputetë nga Partia Socialiste.
Edhe pse kryeministri Edi Rama u kishte bërë thirrje deputetëve të grupit të tij parlamentar që të mos mungonin në këtë seancë, ku është i pranishëm edhe vetë, ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhe, nuk janë të pranishëm në sallë.
A2 CNN mëson se Fatmir Xhafaj është jashtë vendit prej ditësh dhe e ka pasur të pamundur të jetë në seancë, ashtu si dhe në mbledhjen e grupit ditën e hënë.
Ndërkohë, në sallë, në fillim të rreshtit ku është ulur Taulant Balla, është vendosur një efektiv i Gardës. Balla u sulmua seancën e kaluar nga deputetët demokratë pasi ofendoi Albana Vokshin, duke i thënë që për të kishte numrin 0900. Pas ngjarjes Balla kërkoi falje dhe nuk u dënua nga Komisioni i Etikës, ndërsa demokratët me të cilët u përplas në sallë, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, u përjashtuan me 30 ditë nga punimet e Kuvendit.
(A2 Televizion)