“Proda vegël e grupeve kriminale?”, Dogjani: Emërimet në polici i vendos Rama, shkarkimet bëhen edhe për krahinë

Nga A2 CNN
11 Mars 2026, 22:58 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN, ka komentuar situatën në Policinë e Shtetit dhe largimin nga detyra të ish-drejtorit të përgjithshëm Ilir Proda.

Dogjani u shpreh kritik ndaj mënyrës se si bëhen emërimet dhe shkarkimet në polici, duke theksuar se sipas tij institucioni nuk është i pavarur dhe se vendimet merren nga politika.

“Polici është i pasigurt nga grupet kriminale, sepse fatkeqësisht ne nuk kemi një polici të pavarur, të depolitizuar dhe profesionale. Fakti që bëhen konkurse për drejtuesit nuk i bind qytetarët, sepse të gjithë e dinë që në fund vendos vetëm një njeri, dhe ai është Edi Rama”, u shpreh Dogjani.

Sipas ish-deputetit, nëse Proda do të ishte emëruar vetëm mbi bazën e meritës dhe aftësive profesionale, ai nuk do të ishte larguar nga detyra.

“Nëse Ilir Proda do të kishte ardhur për shkak të kontributit dhe aftësive, ai nuk do të ishte larguar sot. Kjo tregon se policia është kthyer në një vegël të politikës dhe jo në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Dogjani ngriti gjithashtu shqetësimin se në disa raste, sipas tij, emërimet dhe largimet në struktura bëhen edhe mbi baza krahinore.

Kam punuar në jug dhe kam respekt maksimal për ato zona. Gjirokastrën dhe Fierin i konsideroj si një vend të dytë të lindjes time. Por ajo që po ndodh sot është e tmerrshme: emërimet, gradimet dhe largimet bëhen jo vetëm mbi bazë bindjesh politike, por edhe mbi bazë krahine. Kjo është skandaloze”, deklaroi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos