Historia e vizitave në SHBA nis vetëm me rrëzimin e komunizmit. Gazetari Roland Qafoku solli në vëmendje në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN se viziztat e krerëve të lartë të shtetit shqiptar përtej oqeanit, duke thekauar se kryeministri i parë shqiptar që vizitoi SHBA-në ishte Ylli Bufi, në nëntor të vitit 1991, por sipas tij pa ndonjë peshë të madhe politike.
“Është Muhamed Kaplani i cili në detyrën e ministrit të jashtëm në 15 mars të vitit 1991 ka nënshkruar rivendosjen e marrëdhënieve Shqipëri-Amerikë me nënsekretarin e shtetit, zëvendës sekretarin e shtetit të asaj kohe Rajmond Xajc. Kjo është historike, por kryeministri i parë që ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është Ylli Bufi. Gati e kemi harruar këtë historik, i cili për tetë ditë ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vizitat e tij në 17 deri në 25 nëntor 1991 nuk kishin ndonjë vlerë të madhe. Ai takoi vetëm zëvendës sekretarin e shtetit në atë kohë Arnold Konter dhe ishte një vizitë thjesht kortezie. Nuk pati ndonjë vlerë”, tha Qafoku në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Po në këndvështrimin e Qafokut dy vizitat më të rëndësishme në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA mbeten ato të ish-presidentit Sali Berisha, i cili është pritur në Shtëpinë e Bardhë nga presidentët George H. W. Bush dhe Bill Clinton me ceremoni të plota shtetërore. Një nivel që sipas Qafokut nuk është arritur nga asnjë lider tjetër shqiptar.
“Dy vizitat historike më të rëndësishme në historinë e shtetit shqiptar, por dhe të marrëdhënieve Shqipëri Amerikë, janë të presidentit në detyrë Sali Berisha. Në 9 qershor 1992 në Shtëpinë e Bardhë e ka pritur George Bushi, presidenti George H Bush dhe e dyta në shtator të vitit 1995 e ka pritur Bill Clinton. Janë dy vizita historike të nivelit më të lartë me ceremoninë më serioze shtetërore dhe nuk e ka përsëritur asnjeri tjetër. Sali Berishën ta shajnë nga mëngjesi në darkë, t'i thonë çfarë të duan. Këtë nuk e ka arritur kush dhe kam përshtypjen që as ka për ta arritur ndonjë president tjetër apo dhe kryeministër”, tha Qafoku në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Ai shtoi se Ramiz Alia kishte qenë në SHBA në vitin 1990 vetëm për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pa zhvilluar takime zyrtare me autoritete amerikane, pasi në atë kohë Shqipëria ende nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-në. (A2 Televizion)