Shumë negociata, pak informacion, Qeveria: Ligjet e integrimit s’kushtëzohen, në 2026 mbyllim 16 kapituj

Nga Fjorela Beleshi
20 Janar 2026, 17:58 | Politikë

Shqipëria do t’u afrohet standardeve të BE, fillimisht në letër dhe më pas në fakt. Por në jo pak sektorë standardi ka mbetur vetëm në letër duke dëmtuar drejtpërdrejt grupet e interesit, e për rrjedhojë edhe qytetarët. Qeveria shqiptare ende nuk ka arritur të bindë institucionet e BE-së për të zhbllokuar fondet e IPARD të cilat kanë mbetur të ngrira që prej 2023.

Ashtu si KE, edhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka mohon që të Brukseli të ketë pezulluar fondet për programet digjitale në Shqipëri, pasi akuzave të SPAK për drejtoreshën e AKSHI-it.

“Unë kam biseduar me koordinatoren kombëtare të fondeve IPA, njëkohësisht me zyrtarin kombëtar të autorizuar të fondeve IPA, SASPAC DHE MF, nuk rezulton që kemi ndonjë informim paraprak apo komunikim nga KE për një masë të tillë si pezullimi i fondeve të Shqipërisë për programet digjitale. Programi Digjital është një program i ri, nuk ka nisur zbatimi. Të dy zyrtarët e lartë me kanë garantuar se po punojnë me Delegacionin e BE për t’i përmirësuar të gjitha masat tona parandaluese të sistemit të kontrollit”, tha Dhuka.

Procesi i negocimit duhet të përfshijë shumë qytetarët në të, pasi bëhet fjalë për rregulla e standard që do të ndikojnë jetën të gjithëve, biznesit të vogël, bujqve e fermerëve deri të kompanitë e mëdha prodhuese.

Por kryenegociatorja tregohet e kufizuar në shpërndarjen e informacionit për median, edhe pse në fund e pranoi që për vitin e ardhshëm, do të mbetet më shumë se gjysma e kapitujve për t’u mbyllur. “Brenda 2026 kemi si objektiv për të mbyllur 10-16 kapituj”.

Për të mbyllur negociatat deri në 2027 socialistët kanë vendosur që një sërë ligjesh të kalojnë edhe me procedurë të përshpejtuar, duke vënë në pikëpyetje standardet europiane.

Vetë Edi Rama në takimin e të premtes me ministrat dhe grupin parlamentar e tha troç që Kuvendi nuk duhet të diskutojë ligjet e integrimit, por vetëm t’i miratojë ato. Por Dhuka dhe Gogu dolën garant për standardet.

Mazhoranca e majtë e ka të qartë udhëzimin e shefit të tyre, ligjet që lidhen me integrimin do të kalojnë edhe nëse shkelet kriteri politik, duke mos e aplikuar dialogun politik, edhe në rastin e reformave të rëndësishme, si zgjedhorja dhe territorialja

Në nisje të këtij viti qeveria ka gati 12 nisma ligjore që lidhen me procesin integrues, nga ligji për mediat, sponsorizimit, lobimet apo dekriminalizimi i shpifjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos