
Teuta vazhdon të jetë “macja e zezë” për Skënderbeun, këtë herë duke e mposhtur në Korçë me rezultatin 0-1.
Një triumf edhe i ish-kapitenit Blendi Shkëmbi ndaj Orges Shehit. Durrsakët e nisën mjaft mirë takimin dhe iu afruan disa herë rrezikshëm portës së mbrojtur nga Teqja, ndërsa në minutën e 30 arritën të gjejnë edhe golin me anë të sulmuesit Sekou Kamara.
Goli i Teutës zgjoi të besuarit e Shehit, që u hodhën në sulm, në kërkim të barazimit, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë fituan një 11-metërsh me anë të mesfushorit Gjergji Muzaka, i cili pësoi një ndërhyrje nga prapa, nga mesfushori Beqja. Ky i fundit u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë durrsakët me 10 futbollistë, ndërsa penalltinë çuditërisht e mori përsipër mbrojtësi i Kosovës, Fidan Aliti, i cili gjuajti lehtë dhe në qendër, duke ia dorëzuar topin portierit Isli Hidi.
Pjesa e dytë u luajt vetëm në gjysmëfushën e Teutës, me Skënderbeun që krijoi një mori rastesh për të barazuar, por herë për shkak të pasaktësisë së sulmuesve korçarë, herë për meritë të Hidit e herë për mungesë të fatit, topi nuk përfundoi në rrjetë.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj të shtune edhe pse me vështirësi, Kukësi ka arritur të marrë 3 pikët me një gol të realizuar nga Ethemi vetëm dy minuta nga fundi në ndeshjen në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.
Pas këtyre dy ndeshjeve, Skënderbeu mbetet në kuotën e 30 pikëve, 4 më pak se Partizani i vendit të parë, ndërsa tashmë e shesh si rrezik edhe Teutën, e cila është vetëm 2 pikë larg.
Me fitoren ndaj Luftëtarit, Kukësi shkon në kuotën e 27 pikëve duke u renditur në vendin e katërt. (A2 Televizion)